KORREKT / SOT12 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

GAP: Kosova mbi mesataren në transparencë buxhetore, por me mangësi në mbikëqyrje

GAP: Kosova mbi mesataren në transparencë buxhetore, por me mangësi në mbikëqyrje

Kosova ka shënuar progres në transparencën buxhetore, duke u renditur mbi mesataren e rajonit, megjithatë sfidat në publikimin me kohë të dokumenteve dhe në mbikëqyrjen institucionale vazhdojnë të mbeten problematike.

Kështu u bë e ditur në rezultatet e Anketës së Buxhetit të Hapur 2025 (OBS), të publikuara në një ngjarje rajonale në Tiranë nga Partneriteti Ndërkombëtar i Buxhetit (IBP), ku për Kosovën anketimi është realizuar nga Instituti GAP.

Sipas raportit, Kosova ka arritur 57 nga 100 pikë në transparencën buxhetore, duke tejkaluar mesataren rajonale prej 52 pikësh. Megjithatë, në komunikatë theksohet se “një nga mangësitë kryesore mbetet mungesa e publikimit të Rishikimit buxhetor të mesit të vitit”, ndërsa dokumentet për qytetarët nuk publikohen gjithmonë në kohë.

Sa i përket pjesëmarrjes publike, Kosova ka marrë 32 pikë, duke u vlerësuar më mirë se vendet e tjera të rajonit, kryesisht falë dëgjimeve buxhetore në nivel komunal. Por, sipas raportit, “niveli qendror nuk organizon dëgjime të tilla me qytetarë apo akterë të shoqërisë civile”, ndërsa edhe Kuvendi nuk i përfshin ato në mënyrë të rregullt në procesin e miratimit të buxhetit.

Në aspektin e mbikëqyrjes, Kosova ka arritur gjithsej 61 pikë, ku “mbikëqyrja legjislative vlerësohet me 50 pikë, ndërsa mbikëqyrja nga Zyra Kombëtare e Auditimit ka arritur 84 pikë”, duke reflektuar një nivel më të avancuar të kontrollit të jashtëm të financave publike.

Megjithatë, raporti nënvizon se mbikëqyrja nga Kuvendi gjatë zbatimit të buxhetit mbetet e dobët dhe thekson mungesën e një institucioni të pavarur fiskal në vend.

Instituti GAP vlerëson se përmirësimi i transparencës, forcimi i mbikëqyrjes dhe koordinimi institucional janë thelbësore për rritjen e besimit të publikut dhe për një qeverisje më efektive në Kosovë. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.