Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar të hënën, më 09.02.2026, rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura në Kosovë më 25 dhjetor 2025.
Me 11 vota për KQZ ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve.
Me certifikimin e rezultateve i hapet rruga formimit të institucioneve të reja të Kosovës.
Certifikimi vjen pasi që Gjykata Supreme i refuzoi si të pabazuara gjashtë ankesat e fundit në lidhje me zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025 e nxorën Lëvizjen Vetëvendosje si parti fituese.
Kjo parti i ka fituar 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 ulëse, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës gjashtë ulëse.
Pos 10 ulëseve të garantuara për komunitetin serb, dy ulëse do t’i zënë dy deputetë nga Partia Turke Demokratike e Kosovës. Kurse, nga një ulëse kanë fituar partitë e tjera të komuniteteve joshumicë: VAKAT, Unioni Social Demokrat, Partia e Re Demokratike, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK), Partia Liberale Egjiptiane, Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës dhe Partia e Bashkuar Gorane.
Certifikimi i zgjedhjeve u zvarrit pasi që KQZ urdhëroi rinumërim të votave në gjithë vendin pas dyshimit për manipulim me numrin e votave të kandidatëve për deputetë.
Për shkak të dyshimeve për manipulim me numrin e votave janë arrestuar dhjetëra përgjegjës të qendrave të numërimit në disa komuna të Kosovës.