Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka reaguar lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit, duke theksuar se bëhet fjalë për një procedurë ekskluzivisht parlamentare dhe jo qeveritare.
Sipas Cakollit, është “pak e çuditshme” që takimet për këtë çështje të mbahen në zyrën e Kryeministrit, sikur të ishte proces i Qeverisë.
Ai ka nënvizuar se zgjedhja e Presidentit është përgjegjësi e Kuvendit dhe kërkon marrëveshje politike ndërmjet forcave parlamentare.
“Takimet për çështjen e Presidentit duhet të zhvillohen mes kryetarëve të partive parlamentare, sepse ky është proces parlamentar dhe kërkon marrëveshje politike mes forcave parlamentare. Rrjedhimisht, nuk bëhet fjalë për raport Kryeministër-opozitë, e aq më pak Kryeministër-deputetë”, ka deklaruar Cakolli.
Ai ka rikujtuar se për zgjedhjen e Presidentit kërkohet konsensus i gjerë prej 2/3 të deputetëve të Kuvendit, të paktën në dy raundet e para të votimit.
Sipas tij, afati është vendimtar dhe më së largu deri më 5 mars duhet të arrihet marrëveshje politike dhe të realizohet votimi i suksesshëm.
Në të kundërtën, Cakolli paralajmëron se vendi mund të hyjë në një situatë të shkeljes kushtetuese, e cila praktikisht do ta çonte Kosovën drejt zgjedhjeve të reja parlamentare./Telegrafi.