Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka paralajmëruar se versioni aktual i Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme kërkon një trajtim të kujdesshëm dhe adresim të çështjeve kyçe të ngritura nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe Komisioni i Venecias.
Në konferencën për media, KDI theksoi se “forcimi i mekanizmave për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme është një hap i domosdoshëm në luftën kundër korrupsionit”, por paralajmëroi se një reformë e tillë duhet të ndërtohet mbi “parime të qarta kushtetuese, siguri juridike dhe respektim të të drejtave themelore”.
Sipas KDI-së, versioni aktual i projektligjit nuk adreson plotësisht gjetjet e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese (KO46/23) dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias, duke krijuar “hapësirë për paqartësi dhe rrezik për cenim të të drejtave kushtetuese”.
Në veçanti, Instituti ngriti shqetësime për: Vlefshmërinë kohore të verifikimit të pasurisë: përcaktimi që nga viti 2008 sipas KDI-së krijon pasiguri juridike dhe bie ndesh me standardet e Kushtetueses dhe kompetencat për nxjerrjen e legjislacionit sekondar: projektligji i jep Byrosë diskrecion të gjerë për të rregulluar procedura që prekin të drejtat pronësore, çështje që sipas KDI-së duhet të përcaktohen qartë në ligj.
KDI gjithashtu kritikoi mungesën e një procesi gjithëpërfshirës konsultimi publik, duke vënë në pikëpyetje transparencën dhe legjitimitetin e reformës.
Instituti ka dërguar letër me qëndrimet dhe rekomandimet e tij për të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe paralajmëroi se së shpejti do të publikojë një hulumtim parlamentar për këtë çështje.
KDI i bën thirrje Kuvendit që shqyrtimi i projektligjit të bëhet “me debat të hapur, gjithëpërfshirës dhe të bazuar në standarde kushtetuese dhe evropiane”, për të shmangur “zgjidhje që mund të rezultojnë të paqëndrueshme apo të kontestueshme në praktikë”. /Telegrafi/