Bashkëshorti i Paris Hilton, Carter Reum, ka reaguar publikisht pasi në rrjetet sociale u përhapën spekulime se martesa e tyre po kalon krizë.
Reagimi i tij erdhi pas publikimit të një videoje që analizonte paraqitjen e çiftit në tapetin e kuq të Grammy Awards, duke interpretuar gjuhën e trupit të tyre. Autori i videos pretendonte se Reum dukej si një person “i lënduar thellë nga dashuria”, ndërsa sugjerohej se mes çiftit kishte tension.
Videoja u përqendrua veçanërisht në një moment kur Paris Hilton ktheu kokën ndërsa bashkëshorti i saj tentoi ta puthte, gjë që nxiti interpretime të ndryshme dhe një valë komentesh në internet.
Megjithatë, Carter Reum reagoi shpejt për të sqaruar situatën dhe për të hedhur poshtë këto pretendime.
“Ju siguroj se bashkëshortja ime është një në një miliard dhe ne jemi çifti më i lumtur në botë, edhe pse i vlerësoj analizat amatore psikologjike. Siç e kanë vënë re shumë, unë thjesht dua ta puth gruan time, ndërsa ajo nuk dëshiron t’i prishet grimi në tapetin e kuq”, shkroi ai në koment.
Ai shtoi më tej: “Nuk ka ndonjë filozofi të madhe këtu. Dhe po, ajo më adhuron”.
Shpjegimi i tij u mbështet nga shumë përdorues të rrjeteve sociale, të cilët u pajtuan se nuk bëhej fjalë për asnjë problem mes çiftit.
Paris Hilton dhe Carter Reum janë të martuar që nga viti 2021 dhe kanë dy fëmijë së bashku, djalin Phoenix dhe vajzën London. /Telegrafi/