Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vijuar retorikën e viktimizimit, duke akuzuar vendet e rajonit për, siç tha ai, “fushatën më të ndyrë” dhe “gjueti shtrigash” kundër Serbisë.
Këto deklarata Vuçiq i bëri gjatë qëndrimit në Trebinje.
Në fjalimin e tij, Vuçiq pretendoi se Serbia është nën sulm të vazhdueshëm politik dhe mediatik nga Prishtina, Zagrebi, Sarajeva dhe Podgorica, duke theksuar se vendi i tij, pavarësisht kësaj, do të bëjë gjithçka për të ruajtur paqen në rajon.
Sipas tij, Serbia po përballet me akuza të vazhdueshme dhe, siç i quajti ai, “gënjeshtra brutale”, për të cilat fajësohet për çdo krizë apo tension në Ballkanin Perëndimor.
Vuçiq deklaroi se Beogradi nuk ka sulmuar dhe as nuk planifikon të sulmojë askënd, por është vazhdimisht i akuzuar për destabilizim.
Në një tjetër pjesë të fjalimit, presidenti serb shprehu shqetësim për atë që e quajti “aleancë e re ushtarake” mes Zagrebit, Tiranës dhe Prishtinës, duke pretenduar se ajo është e drejtuar kundër Serbisë.
Analisti gjerman Thomas Brey ka vlerësuar se kjo retorikë është e njohur dhe përsëritet shpesh nga presidenti serb, veçanërisht në momente tensionesh politike rajonale apo presioni ndërkombëtar ndaj Beogradit.
Ndërkaq, presidenti serb theksoi se Serbia do të vazhdojë të forcojë kapacitetet ushtarake, duke garantuar, sipas tij, paqen dhe sigurinë.
Vuçiq foli gjithashtu për zhvillimet globale, duke deklaruar se “stuhi të mëdha” po përgatiten në botë dhe se rregullat ndërkombëtare po zëvendësohen nga “çmenduria”.
Ai përsëriti qëndrimin e tij se Serbia duhet t’i përmbahet së drejtës ndërkombëtare, duke përmendur rastin e Kosovës dhe duke e krahasuar atë me situata të tjera ndërkombëtare.
Në të njëjtën kohë, Vuçiq njoftoi se Serbia është e gatshme të investojë mbi 200 milionë euro në ndërtimin e aeroportit të Trebinjes, duke e paraqitur këtë si një projekt me rëndësi strategjike për Republikën Srpska dhe Bosnjë e Hercegovinën./Telegrafi.