Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit në rrugën që shpie në drejtim të fshatit Frashër, në kuadër të realizimit të projektit për rehabilitimin e rrugës hekurudhore Linja 10, Pjesa Jugore (Fushë Kosovë – Mitrovicë).
Sipas njoftimit të Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, qarkullimi në këtë segment rrugor do të ndërpritet nga data 13 shkurt 2026, në orën 08:00, deri më 15 shkurt 2026, në orën 24:00.
Autoritetet komunale u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe shfrytëzuesve të kësaj rruge që të tregojnë mirëkuptim dhe gjatë kësaj periudhe të shfrytëzojnë rrugë alternative për qarkullim.
Komuna e Mitrovicës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin gjatë zhvillimit të punimeve infrastrukturore. /Telegrafi/