Real Madridi ka marrë një vendim përfundimtar: klubi nuk do të kryejë asnjë transferim gjatë afatit kalimtar të janarit.
Pavarësisht se skuadra nuk po shfaq nivelin e pritur dhe ka pësuar disa ndalesa si në La Liga ashtu edhe në Ligën e Kampionëve, drejtuesit madrilenë kanë vendosur të mos ndërhyjnë në afat kalimtar.
Sipas asaj që raporton OK Diario, në zyrat drejtuese të “Santiago Bernabeu” janë të vetëdijshëm se ekipit do t’i nevojitej një mesfushor me talent dhe vizion për të kontrolluar lojën, por konsiderohet se në këtë fazë të sezonit është praktikisht e pamundur të gjendet profili i duhur.
Vendim i prerë
Për këtë arsye, klubi i ka komunikuar stafit teknik se nuk do të ketë afrime të reja dhe se objektivat e sezonit duhet të arrihen me lojtarët aktualë.
“Vetëm në rast emergjence, për shkak të një dëmtimi të rëndë dhe as në atë skenar nuk është e sigurt – Real Madridi do të dilte në tregun e transferimeve”, thekson mediumi spanjoll.
Edhe pse Franco Mastantuono ka ende karton të ekipit B, çka lë një vend të lirë në skuadrën e parë, drejtuesit madrilenë nuk e konsiderojnë këtë si arsye të mjaftueshme për të bërë një lëvizje në janar.
Si pasojë, dhe përveç ndonjë surprize të madhe, Real Madridi do të jetë aktiv vetëm në një operacion gjatë këtij afati kalimtar, largimin e përkohshëm të Endrick.
Sulmuesi brazilian, 19 vjeç, do të huazohet te Olympique Lyon.
Lojtarë të tjerë si Gonzalo, pavarësisht ofertave të marra, do të vazhdojnë të jenë nën urdhrat e trajnerit Xabi Alonso. /Telegrafi/