Një Porsche 911 GT3 është bërë qendra e një padie të diskutueshme në Shtetet e Bashkuara, pasi një blerës nga Florida pretendon se makina luksoze që e bleu si të re kishte kaluar një vit duke u çmontuar dhe montuar nga mekanikë praktikantë.
Padia është ngritur kundër Porsche Cars North America dhe shitësit Porsche Warrington.
Blerësi, Abdul Azizi, pagoi rreth 281,940 dollarë (rreth 260,000 euro) për modelin e vitit 2022, pasi iu tha se makina ishte përdorur vetëm për ekspozim dhe promovim. Odometria tregonte vetëm 34 milje, duke krijuar përshtypjen se makina ishte pothuajse e papërdorur.
Megjithatë, një ditë pasi makina mbërriti në shtëpinë e tij në Florida, Azizi pretendon se gjeti në kutinë e dorezave etiketën origjinale të dritares, ku shkruhej me shkronja të kuqe: “PCNA CAR NOT FOR SALE”.
Kjo ngriti dyshime se automjeti ishte përdorur më parë në programe të brendshme të prodhuesit.
Sipas dokumenteve gjyqësore, makina kishte qenë pjesë e një programi trajnimi për mekanikë të rinj të Porsche, ku për rreth një vit ishte çmontuar dhe montuar vazhdimisht për qëllime mësimore.
Pas blerjes, makina filloi të shfaqte probleme serioze elektrike dhe mekanike, ndërsa një inspektim zbuloi se disa pjesë ishin montuar gabimisht.
Azizi tashmë ka fituar një proces arbitrazhi sipas ligjit “lemon law”, duke detyruar Porsche të riblejë automjetin, por tani ai kërkon edhe dëmshpërblime shtesë për mashtrim dhe fshehje të historisë së makinës.
Rasti mund të krijojë precedent për mënyrën se si prodhuesit dhe shitësit duhet të zbulojnë historinë e automjeteve që shiten si të reja. /Telegrafi/