Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK), ka uruar konstituimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës, duke e cilësuar këtë si një moment të rëndësishëm për vendin.
“Ne vlerësojmë këtë moment si një hap të rëndësishëm drejt stabilitetit institucional, funksionalizimit të plotë të shtetit dhe krijimit të kushteve për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, thuhet në njoftimin e LBK-së.
Kryetari i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Besart Dreshaj, ka theksuar se institucionet e reja duhet të veprojnë me ritëm më të shpejtë për të rikuperuar kohën e humbur.
“Qeveria e re dhe Kuvendi i Kosovës duhet të veprojnë me një dinamikë të shtuar për të kompensuar kohën e humbur prej më shumë se një viti gjatë periudhës parazgjedhore dhe mungesës së funksionalitetit të plotë institucional”, ka deklaruar Dreshaj.
Komuniteti i biznesit ka mirëpritur fillimin e punës së kabinetit të ri qeveritar, të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, si dhe zgjedhjen e kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, dhe nënkryetarëve.
“E konsiderojmë këtë si një moment të rëndësishëm për avancimin e reformave dhe forcimin e stabilitetit ekonomik”, thuhet më tej në reagim.
LBK ka kërkuar që prioritet kryesor i institucioneve të reja të jetë ekonomia dhe përshpejtimi i reformave.
“Prioritet kryesor duhet të jetë ekonomia, përshpejtimi i reformave në legjislacionin ekonomik dhe avancimi i politikave fiskale që mbështesin zhvillimin e sektorit privat dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë”, thekson njoftimi.
Po ashtu, Lidhja e Bizneseve e konsideron urgjente ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të mbetura pezull.
“Zhbllokimi i marrëveshjeve ndërkombëtare që kanë mbetur të bllokuara për shkak të mungesës së institucioneve funksionale është thelbësor për investimet, zhvillimin ekonomik dhe integrimin ndërkombëtar të vendit”, thuhet në reagim.
Sipas LBK-së, prioritetet ekonomike duhet të fokusohen në adresimin e hendekut të shkathtësive dhe “ikjes së trurit”, rritjen e eksportit dhe investimeve të huaja direkte, forcimin e sigurisë juridike për bizneset, përmirësimin e qasjes në financa, zhvillimin e sektorit dhe tregut të energjisë, luftimin e informalitetit, reformat legjislative në fushën e ekonomisë si dhe vazhdimin e reformave fiskale.
Në fund, LBK ka theksuar gatishmërinë për bashkëpunim me institucionet.
“Lidhja e Bizneseve të Kosovës mbetet partner serioz dhe profesional në adresimin e sfidave ekonomike dhe në avancimin e politikave që fuqizojnë sektorin privat dhe nxisin rritjen ekonomike të vendit”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/