Këngëtarja me famë botërore Bebe Rexha ka ndezur entuziazmin e fansave duke paralajmëruar publikimin e këngës së dytë nga albumi i saj i ri në ardhje, “Dirty Blonde”, e cila do të publikohet këtë të premte.
Projekti i ri titullohet “Çike Çike” dhe pritet me shumë interes, veçanërisht nga audienca shqiptare, pasi përmban vargje në shqip që tashmë janë bërë virale në rrjete sociale: “Çike çike luj belin çike, ti je një bombë, bombë atomike”.
Kënga do të vijë e shoqëruar me videoklip, pasi albumi “Dirty Blonde” është konceptuar si një album vizual, ku të 13 këngët do të publikohen secila me klip përkatës.
Rexha ka ndarë së fundmi një trailer të shkurtër në Instagram, duke rritur kureshtjen e publikut. Ajo e shoqëroi videon me mbishkrimin provokues: “Ku janë të gjithë k*çkat e mia shqiptare”, duke sinjalizuar se projekti do të ketë energji të fortë dhe stil të guximshëm artistik.
Pamjet e para nga klipi tregojnë një Bebe ndryshe nga herët e tjera, në një skenar provokues ku shfaqet në një raport flirtues me një burrë shumë më të moshuar, madje në një moment ajo shihet edhe duke e puthur atë.
Detaj që ka tërhequr vëmendje është edhe tatuazhi me emrin “Bebe” në barkun e personazhit mashkull, ndërsa vetë këngëtarja shfaqet me stilin e saj karakteristik ekstravagant.
Foto: Bebe Rexha/Instagram
Fansat tashmë po numërojnë ditët deri në publikimin e plotë, ndërsa pritshmëritë janë të larta që “Çike Çike” të shndërrohet në një nga hitet më të diskutuara të sezonit dhe një moment i rëndësishëm për lidhjen artistike të Rexhës me rrënjët e saj shqiptare. /Telegrafi/