Këngëtarja me famë botërore Bebe Rexha së fundmi ishte e ftuar në emisionin e njohur Overheard Happy Hour, ku foli hapur për jetën e saj personale dhe profesionale, duke dhuruar edhe momente plot humor e spontanitet teksa ngrinte dolli gjatë intervistës.
Gjatë bisedës, interpretuesja e hitit Çike çike bëri një rrëfim surprizues për një lidhje të kaluar, duke treguar se ish-i dashuri me të cilin kishte qenë tetë muaj në lidhje rezultoi të ishte homoseksual. “Gëzuar për ish-të dashurin tim që përfundoi duke qenë ‘gay’. Gëzuar!”, u shpreh ajo me tone ironike, duke ngritur gotën.
E pyetur nga gazetarja nëse nuk e kishte kuptuar më herët, Rexha rrëfeu me sinqeritet: “Të gjithë miqtë e mi e kishin kuptuar përveç meje. Edhe mamaja ime e kishte kuptuar”. Ajo tregoi se e vërteta doli në pah gjatë periudhës së Krishtlindjeve, kur partneri i saj ishte larg, duke shtuar se në fillim ai ishte treguar shumë i dashuruar pas saj.
Artistja foli edhe për mënyrën se si reagimet dhe vëmendja ndikojnë tek ajo emocionalisht. “Edhe sot kur dikush më kushton vëmendje, jam tip që them ‘të dua’. Jemi pak të kushtëzuar nga ajo narrativa e përrallave ku dashurohesh me fluturat në stomak, por nuk mund të dashurohesh me fluturat, sepse ato një ditë zhduken”, tha ajo, duke shkaktuar të qeshura.
Intervista vazhdoi me atmosferë festive, ku këngëtarja bëri edhe një tjetër dolli për pavarësinë e saj artistike: “Jam e pavarur. Kjo është diçka shumë e madhe për mua. Tani ndihem më në fund e lirë”.
Paraqitja e Rexhës në emision u prit me entuziazëm nga fansat, të cilët e vlerësuan sinqeritetin dhe natyrshmërinë e saj, duke dëshmuar edhe një herë se ajo mbetet një nga artistet më autentike dhe më të drejtpërdrejta të skenës pop. /Telegrafi/