BE-ja ka njoftuar propozimet për paketën e saj të 20-të të sanksioneve kundër Rusisë, që mbulojnë energjinë, shërbimet financiare dhe tregtinë.
Ajo përfshin një ndalim të plotë të shërbimeve detare për naftën bruto ruse, si dhe shtimin e 43 anijeve të tjera pjesë e të ashtuquajturës ‘flotë në hije’ të Kremlinit, njoftoi presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Një ndalim i ri për mallrat dhe shërbimet do të shtrëngojë kufizimet e eksportit që vijnë nga Rusia, ndërsa ndalimet e reja të importit për metalet, kimikatet dhe mineralet kritike do të vlejnë më shumë se 570 milionë euro.
Do të merren masa gjithashtu kundër kompanive dhe platformave që mundësojnë tregtinë e kriptomonedhave dhe do të listohen 20 banka të tjera rajonale ruse në listën e sanksioneve.
“Rusia do të ulet në tryezën e bisedimeve vetëm me qëllim të sinqertë nëse i bëhet presion ta bëjë këtë. Kjo është e vetmja gjuhë që Rusia e kupton. Kjo është arsyeja pse po bëjmë një hap përpara sot”, tha von der Leyen.
Ndryshe, propozimi duhet të miratohet nga 27 shtetet anëtare të BE-së përpara se të hyjë në fuqi zyrtarisht.
Paketa e 19-të e sanksioneve të bllokut – e cila synonte flotën e saj në hije dhe ndaloi importet e gazit natyror të lëngshëm – hyri në fuqi në nëntor. /Telegrafi/