Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Drejtësisë Igor Fillkov, i cili tha se gjykatësi dhe prokurori që vendosën masën e arrestit shtëpiak për Grubin duhet të sqarojnë vendimin e tyre.
“BDIshpreh pakënaqësi të thellë dhe proteston drejtpërdrejt ndaj kërcënimeve të drejtuara ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve nga ministri Filkov në paraqitjen e tij të fundit publike. Pushteti ekzekutiv jo vetëm që nuk ka të drejtë kushtetuese të sugjerojë mënyrën e veprimit të organeve të drejtësisë, por roli i Ministrisë së Drejtësisë është pikërisht mbrojtja e integritetit dhe pavarësisë së pushtetit gjyqësor, veçanërisht në raste të ndjeshme kur polarizimi politik ushtron presion të madh mbi individët brenda sistemit të drejtësisë”.
“Ministri i Drejtësisë, në vend që ta mbrojë sistemin gjyqësor nga histeria partiake, po e nxit atë më tej, duke krijuar klimë të një vendimi të parapërcaktuar dhe duke adresuar publikisht mesazhe që përbëjnë presion ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve. Deklarata të tilla përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në një proces në zhvillim dhe, përveçse cenojnë parimin e ndarjes së pushteteve, përfaqësojnë goditje serioze ndaj sistemit të drejtësisë dhe rrezikojnë integritetin e procedurës”.
“I bëjmë thirrje ministrit që të përmbahet nga çdo ndërhyrje e mëtejshme publike në këtë çështje, ndërsa Ministria e Drejtësisë, përmes komunikimeve të qarta dhe të përgjegjshme, duhet të garantojë dhe të mbrojë pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit gjyqësor. Nëse kjo praktikë vazhdon, ministri duhet të shkarkohet menjëherë, me qëllim mbrojtjen e pavarësisë së pushtetit gjyqësor në këtë moment të ndjeshëm”, thonë nga BDI.
Në fund thonë se ata do të vazhdojnë të ndjekin evidentojë çdo veprim apo sjellje që krijon klimë linçimi dhe pengon vendimmarrjen e pavarur dhe të paanshme të organeve të drejtësisë.
“Për këto zhvillime do të informohen edhe partnerët tanë strategjikë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe Misioni i OSBE-së në Shkup”, thonë nga BDI./Telegrafi/