Bashkimi ka shënuar fitore në xhiron e 22-të të ligës, duke mposhtur Vëllaznimin me rezultatin 90-79.
Ndeshja u zhvillua të enjten mbrëma në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, dhe ky sukses i mundësoi Bashkimit të ruajë vendin e dytë në tabelë.
Pjesa e parë ishte e barabartë, me prizrenasit që fituan vetëm me një pikë epërsi, 37-36.
Diferenca vendimtare u krijua në çerekun e tretë, që përfundoi 24-13 në favor të Bashkimit, duke i dhënë një avantazh të qëndrueshëm për pjesën e fundit të ndeshjes.
Në këtë fitore spikati Dequon Lake, i cili regjistroi një double-double me 17 pikë dhe 11 kërcime.
Bashkëlojtarët e tij, Jalen Riley dhe Lejson Zeqiri, kontribuan me përkatësisht 20 dhe 19 pikë, duke garantuar dominimin e ekipit vendas.
Te Vëllaznimi, Jericole Hellems ishte më i dalluari, me 25 pikë, 9 kërcime dhe 4 asistime, por përpjekjet e tij nuk mjaftuan për ta shmangur disfatën.
Pas kësaj ndeshjeje, Bashkimi ruan vendin e dytë me 37 pikë, pas 15 fitoreve dhe 7 humbjeve, ndërsa Vëllaznimi mbetet në vendin e gjashtë me 30 pikë, pas 8 fitoreve dhe 14 disfatave./Telegrafi/