Mohamed Salah pritet të largohet nga Liverpooli në fund të sezonit, duke shënuar fillimin e një periudhe të rëndësishme tranzicioni për klubin anglez, teksa “Të Kuqtë” synojnë ndërtimin e një gjenerate të re për të ardhmen.
Sulmuesi egjiptian konsiderohet një legjendë e klubit, por largimi i tij i afërt do të krijojë hapësirë për talente të reja, sidomos në repartet e krahëve. Në këtë drejtim, Liverpool ka nisur tashmë kërkimin për një pasues të mundshëm, duke u fokusuar te lojtarë të rinj që mund të sjellin shpejtësi dhe rrezikshmëri në fazën sulmuese.
Sipas raportimeve të gazetës gjermane Bild, një nga emrat kryesorë në listën e klubit është sulmuesi nga Bregu i Fildishtë, Bazoumana Toure, 20-vjeç, i cili aktualisht luan për Hoffenheimin në Bundesliga.
Raportohet se skautët e Liverpoolit e kanë ndjekur thuajse çdo javë, përfshirë edhe paraqitjen e tij në fitoren e Bregut të Fildishtë 1-0 ndaj Skocisë në “Goodison Park”.
Çmimi i përfolur prej rreth 40 milionë euro konsiderohet i arsyeshëm sipas standardeve aktuale të tregut të transferimeve.
Kontrata e tij me Hoffenheim zgjat deri në vitin 2029 dhe nuk përfshin klauzolë lirimi, çka do të thotë se çdo transferim i mundshëm do të kërkonte negociata direkte mes klubeve.
Livrpool e sheh Toure si pjesë të rëndësishme të planit për të rinovuar repartin ofensiv me energji të re, ndërsa Florian Wirtz pritet të marrë rolin e liderit teknik dhe krijues të kësaj gjenerate të re në ndërtim e sipër./Telegrafi/