Barcelona synon të transferojë një sulmues të ri gjatë kësaj vere, ndërsa gjithnjë e më shumë po duket se njëri nga qendërsulmuesit aktualë do të largohet me hapjen e afatit kalimtar.
Në këtë fazë, Julian Alvarez është objektivi kryesor, megjithëse një marrëveshje me Atlético Madrid pritet të jetë jashtëzakonisht e vështirë, edhe nëse katalanasit sigurojnë rikthimin e shumëpritur në rregullin 1:1 të La Liga.
Plani i klubit është afrimi i një qendërsulmuesi të nivelit të lartë, ndërsa njëri nga Robert Leëandoëski dhe Ferran Torres do të qëndrojë si alternativë nga stoli.
Megjithatë, transferimi i Alvarez mund të jetë i paarritshëm, dhe ndonëse Barcelona do të përpiqet të realizojë marrëveshjen, ajo tashmë ka nisur të përgatisë alternativa në rast se klubi madrilen nuk hap negociatat.
Sipas raportimeve, një nga opsionet alternative që Barcelona ka identifikuar është Victor Osimhen.
Sulmuesi aktual i Galatasaray vlerësohet brenda klubit katalanas, veçanërisht për statistikat e tij mbresëlënëse prej 56 golash në 70 paraqitje që nga transferimi në Turqi.
Megjithatë, raporti thekson se drejtuesit e Barcelonës kanë disa dyshime për Osimhenin, kryesisht lidhur me qëndrimin dhe sjelljen e tij.
Mënyra e largimit të tij nga Napoli në vitin 2024 vazhdon të mbetet në kujtesën e vendimmarrësve të klubit, çka bën që ai të mos konsiderohet ndër opsionet kryesore të planit B.
Barcelona vijon të eksplorojë tregun për alternativa ndaj Alvarez, ndërkohë që dy opsione tashmë janë përjashtuar./Telegrafi/