Interesi i Arsenalit për Raphinhan vazhdon të jetë i fortë, por Barcelona ka reaguar qartë ndaj spekulimeve që e lidhin sulmuesin brazilian me një rikthim të mundshëm në Ligën Premier.
“Topçinjtë”, të drejtuar nga Mikel Arteta, kanë riaktivizuar interesimin e hershëm për anësorin pas transformimit të tij të jashtëzakonshëm nën drejtimin e Hansi Flick.
Në një periudhë ku Barcelona po përjeton stabilitet dhe rritje sportive, Raphinha është shndërruar në një nga figurat kyçe të skuadrës, si në aspektin ofensiv ashtu edhe në lidership brenda dhomave të zhveshjes.
Pas një fillimi me luhatje dhe dyshime gjatë sezoneve të para në “Camp Nou”, ardhja e trajnerit gjerman rezultoi pikë kthese për ish-lojtarin e Leeds United.
Forma e tij aktuale ka tejkaluar çdo pritshmëri, duke e kthyer në një nga protagonistët kryesorë të ekipit katalanas.
Me gola, asistime dhe angazhim maksimal fizik, 11-shi blaugrana po konsiderohet madje edhe kandidat serioz për çmime individuale prestigjioze, ndërsa shihet si favorit për të marrë shiritin e kapitenit sezonin e ardhshëm.
Arsenali e kishte tentuar transferimin e tij edhe para se ai të transferohej në Spanjë, dhe sipas mediave britanike, klubi londinez është i gatshëm të ofrojë një kontratë të majme për ta bindur që të udhëheqë projektin në “Emirates”.
Megjithatë, qëndrimi i lojtarit mbetet i prerë: ai ndihet i lumtur në Barcelonë dhe synon të vazhdojë karrierën në “Camp Nou”.
Nga ana tjetër, drejtuesit e Barcelonës kanë qenë të qartë se nuk kanë asnjë qëllim të hapin negociata për transferimin e yllit të tyre, pavarësisht ofertave të mundshme financiare.
Për klubin katalanas, Raphinha është një element i pazëvendësueshëm në projektin sportiv dhe një shtyllë e rëndësishme në synimin për rikthimin në majat e futbollit evropian.
E vetmja mënyrë për ta larguar brazilianin nga Barcelona do të ishte aktivizimi i klauzolës së tij të lirimit, e cila kap shifrën simbolike prej 1 miliard eurosh.
Edhe rrethi i lojtarit konfirmon se përkushtimi i tij ndaj Barcelonës është total dhe se ai nuk tundohet nga ofertat e Ligës Premier.
Në këtë situatë, Barcelona tregon se ka rikthyer aftësinë për të mbajtur lojtarët më të rëndësishëm përballë fuqisë financiare të klubeve angleze.
Me Raphinhan në formën më të mirë të karrierës dhe me një perspektivë edhe më të ndritur përpara, afati kalimtar i verës në këtë drejtim pritet të jetë e qetë, me një derë të mbyllur fort dhe një klauzolë që largon çdo pretendues. /Telegrafi/