Banorët e lagjes “Kodra e Trimave” në Prishtinë kanë ngritur shqetësimin për mungesën dhe reduktimet e vazhdueshme të ujit të pijshëm, problem që, sipas tyre, po vazhdon prej disa muajsh dhe po vështirëson jetën e përditshme në këtë zonë.
Në disa ankesa që ka pranuar Telegrafi, banorët theksojnë se uji është një nevojë jetike, e domosdoshme për çdo aktivitet ditor, dhe mungesa e tij po ndikon drejtpërdrejt si në familjet rezidente ashtu edhe në bizneset që veprojnë në lagje.
Ata kërkojnë që çështja të trajtohet me prioritet dhe të bëhet rregullimi i furnizimit me ujë të pijshëm, duke siguruar qasje të pandërprerë 24 orë në ditë.
Sipas tyre, ky problem nuk është i izoluar vetëm në “Kodrën e Trimave”, por është i pranishëm edhe në lagje dhe fshatra të tjera të Kryeqytetit.
Lidhur me këtë situatë, Telegrafi ka kontaktuar edhe me zëdhënësen e KRU Prishtina, Arjeta Mjeku, e cila ka sqaruar se aktualisht kompania është duke operuar me kapacitet të reduktuar.
“Për shkak të turbullirave, aktualisht jemi duke operuar me kapacitet minimal. Ekipet tona janë duke monitoruar situatën dhe po punojnë për stabilizimin e saj, me qëllim rikthimin e funksionimit normal në kohën më të shkurtër të mundshme”, tha Mjeku.
Ajo ka shtuar se gjendja është shkaktuar si pasojë e vërshimeve dhe rritjes së shpejtë të nivelit të ujit në liqene.
“Ka ende turbullirë, çka po ndikon drejtpërdrejt në procesin e furnizimit”, ka theksuar zëdhënësja e KRU Prishtina.
Ndërkohë, banorët shprehen në pritje të një zgjidhjeje sa më të shpejtë, duke kërkuar ndërhyrje konkrete për stabilizimin e furnizimit me ujë të pijshëm. /Telegrafi/