Inspektorët e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari (AUV) asgjësuan 1,010 kilogramë ushqim të pasigurt të quajtur “ushqim i shëndetshëm” nga 14 operatorë gjatë 373 kontrolleve të kryera këtë javë, tek operatorë të regjistruar si objekte për prodhimin dhe tregtimin e ushqimeve të shëndetshme, njoftoi sot Agjencia.
Kontrollet treguan se 14 operatorë nuk ishin fare të regjistruar si operatorë ushqimesh në Agjenci. Për parregullsitë e konstatuara janë dhënë 65 vendime, 19 paralajmërime dhe 44 gjoba, me vlerë totale prej 20,550 eurosh në kundërvlerë në denarë.
Tek 9 operatorë u konstatua se kushtet higjienike dhe teknike në objektet e tyre ishin të papranueshme, tek 7 operatorë është gjetur ushqim me afat të skaduar përdorimi, ndërsa tek dy operatorë ushqimi kishte origjinë të panjohur.
Ushqimi ishte i shënuar në mënyrë të papërshtatshme tek 18 operatorë, ndërsa tek 23 punonjësit nuk kishin kryer kontrolle të detyrueshme shëndetësore. Dy operatorë nuk kishin procedura të përcaktuara për Praktikat e Mira të Prodhimit dhe Higjienës ose nuk mbajnë regjistra të duhur. Tek po aq operatorë nuk ishte kryer dezinfektimi, dezinsektimi dhe deratizimi i detyrueshëm në objektet e tyre, njofton AUV.