Sezoni 2025/26 ka qenë shumë i vështirë për Real Madrid, jo vetëm për shkak të rezultateve, por edhe për shkak të numrit të madh të lëndimeve që kanë goditur skuadrën.
Sipas raportimeve, “Los Blancos” kanë regjistruar 39 lëndime të lojtarëve të ekipit të parë gjatë këtij sezoni, me Jude Bellingham, që ka vuajtur më shumë.
Ky numër i lartë ka ngritur shumë pikëpyetje për punën dhe metodat e stafit mjekësor të klubit. Shumë nga dëmtimet kanë qenë muskulore ose në gju, që shpesh konsiderohen të parandalueshme.
Probleme për trajnerin Arbeloa
Numri i madh i lëndimeve ka ndikuar drejtpërdrejt në formacion dhe rezultatet e skuadrës. Në disa ndeshje, trajneri Alvaro Arbeloa ka pasur deri në nëntë lojtarë jashtë për shkak të dëmtimeve.
Kjo situatë e ka bërë të vështirë ruajtjen e stabilitetit dhe konkurrencës për trofe me ekipet e tjera, ku aktualisht është eliminuar nga Copa del Rey, ndërsa në kampionat mbetet pas Barcelonës. Në Ligën e Kampionëve, Real Madridi do të ndeshjet me Man Cityn.
Rastet e Eder Militao dhe Rodrygo
Një nga rastet më shqetësuese është ai i Eder Militao. Mbrojtësi brazilian ka pësuar dëmtime serioze në gju në disa sezone radhazi.
Kjo ka shtuar shqetësimin për mënyrën si menaxhohen rikuperimet e lojtarëve. Edhe Rodrygo është përmendur në raportime.
Sipas mediave, ai ka vazhduar të luajë disa minuta edhe pse kishte pësuar një dëmtim në gju. Ky vendim ka shkaktuar kritika për mënyrën si trajtohen rastet e dëmtimeve gjatë ndeshjeve.
Problemet fizike të Mbappe
Sulmuesi francez Kylian Mbappe gjithashtu ka pasur probleme fizike. Raportohet se ai ka luajtur për një periudhë të gjatë me dhimbje dhe lodhje fizike.
Kjo ka rritur debatet rreth menaxhimit të ngarkesës së lojtarëve. Francezi ka shkuar në Paris për të vazhduar rikuperimin.
Ai ka gjasa të kthehet pas disa javësh, por shumë e dyshojnë këtë gjë.
Kritika ndaj departamentit mjekësor
Kritikat ndaj stafit mjekësor janë shtuar edhe nga ish-punonjës të klubit. Ish-nutricionistja Itziar Gonzalez ka deklaruar se metodat aktuale “po dëmtojnë gjunjët e lojtarëve”. Sipas saj, klubi duhet të rishikojë mënyrën e përgatitjes dhe rikuperimit.
Drejtuesit e klubit, të udhëhequr nga presidenti Florentino Perez, pritet të analizojnë situatën.
Nëse problemet me lëndimet vazhdojnë, ndryshimet në departamentin mjekësor mund të bëhen të pashmangshme.
Qëllimi do të jetë mbrojtja më e mirë e lojtarëve dhe shmangia e dëmtimeve në të ardhmen. /Telegrafi/