Real Madridi është përfshirë në një situatë të pakëndshme, në një kohë kur klubi po lufton fuqishëm kundër racizmit ndaj Vinícius Junior.
Këtë herë, “Los Blancos” janë detyruar të kërkojnë falje për një incident që lidhet me një nga lojtarët e tyre, Dean Huijsen.
Klubi publikoi një deklaratë zyrtare në gjuhën kineze në rrjetin social Weibo, duke kërkuar falje në emër të mbrojtësit 20-vjeçar.
Postimi që nxiti reagime
Huijsen kishte shpërndarë në Instagram një përmbajtje që një pjesë e përdoruesve e interpretuan si ofenduese ndaj komunitetit aziatik. Sipas reagimeve, postimi aludonte në mënyrë stereotipike për tiparet fizike të aziatikëve, konkretisht formën e syve.
Pamja e ekranit, e cila më pas u fshi nga profili i tij, paraqiste një person me prejardhje aziatike të shoqëruar me komente që u konsideruan fyese nga përdoruesit kinezë.
Reagimi i lojtarit
Huijsen reagoi me një mesazh publik faljeje: “U kërkoj sinqerisht ndjesë miqve të mi kinezë. Më herët kam shpërndarë pa dashje një përmbajtje që përmbante mesazhe ofenduese. Kjo ishte krejtësisht e paqëllimshme dhe më vjen keq për shqetësimin që kam shkaktuar.”
Huijsen iu bashkua Real Madridit verën e kaluar nga AFC Bournemouth për 62.5 milionë euro dhe është bërë pjesë e rëndësishme e formacionit bazë.
I lindur në Amsterdam nga prindër holandezë, ai u zhvendos në Spanjë në moshën pesëvjeçare dhe më vonë mori shtetësinë spanjolle. Pasi përfaqësoi kombëtaret e moshave të Holandës (U-17, U-18, U-19), vendosi të luajë për Spanjën, fillimisht me U-21 dhe më pas me ekipin A.
Incidenti ka shkaktuar debat në rrjetet sociale, ndërsa Real Madridi ka theksuar se mbetet i përkushtuar ndaj luftës kundër çdo forme diskriminimi. /Telegrafi/