Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me propozimin e Zyrës së Prokurorit Special për dënimin e katër figurave udhëheqëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Në komunikatën e saj, ASHAK thekson se procesi gjyqësor duhet të zhvillohet në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare të drejtësisë dhe të garantojë respektimin e të drejtave të njeriut, ashtu siç përcaktohet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Çdo shmangie nga këto standarde paraqet influencë politike që lëndon legjitimitetin dhe paanshmërinë e procesit gjyqësor”, thuhet në reagimin e Kryesisë së ASHAK-ut.
ASHAK gjithashtu ka theksuar rëndësinë historike dhe morale të luftës çlirimtare të UÇK-së, duke nënvizuar se kontributi i saj ka qenë vendimtar në çlirimin e Kosovës dhe nuk mund të relativizohet apo të stigmatizohet.
“Kontributi i tyre ka qenë vendimtar në këtë proces historik dhe nuk mund të relativizohet apo të stigmatizohet në kuadër të një procesi që mund të ketë motive politike”, vlerëson Kryesia e ASHAK-ut.
Në komunikatë kundërshtohet çdo përpjekje për relativizimin e gjenocidit serb mbi popullatën civile në Kosovë, duke theksuar se lufta e UÇK-së dhe sakrificat e shqiptarëve për liri janë pjesë e historisë së dokumentuar dhe nuk mund të mohohen apo keqinterpretohen.
“Çdo përpjekje për të stigmatizuar luftën çlirimtare përmes interpretimeve të njëanshme, paraqet një kërcënim ndaj kujtesës historike dhe drejtësisë kolektive të popullit të Kosovës”, thuhet në reagim.
Kryesia e ASHAK-ut ka propozuar që institucionet e Kosovës të ndërtojnë mekanizma të pavarur për monitorimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut nga Gjykata Speciale, me qëllim të garantimit të transparencës, llogaridhënies dhe respektimit të standardeve ndërkombëtare të drejtësisë.
“Një qasje e tillë është jetike për funksionimin e institucioneve demokratike të Kosovës, për ruajtjen e kujtesës historike dhe për forcimin e sundimit të ligjit”, thekson ASHAK, duke shtuar se Akademia mbetet e gatshme të ofrojë ekspertizë dhe analiza shkencore për këtë qëllim. /Telegrafi/