Arsenali ka luajtur baras me rezultat 2-2 në udhëtim ndaj Wolvesit në kuadër të xhiros së 31-të në elitën e futbollit anglez.
Londinezët kaluan herët në epërsi. Në minutën e pestë, Declan Rice dërgoi një top të saktë në zonë për Bukayo Saka, i cili fitoi duelin në ajër dhe realizoi me kokë për 1-0.
Pjesa e parë vazhdoi me tensione. Piero Hincapie kërkoi penallti pas një dueli në zonë, por gjyqtari Paul Tierney lejoi lojën të vazhdojë.
Në fundin e pjesës së parë, Santiago Bueno u ndëshkua me karton të verdhë.
Në pjesën e dytë, Arsenal mendoi se kishte dyfishuar epërsinë me Hincapie, por goli fillimisht u anulua për pozicion jashtë loje.
Pas rishikimit me VAR, gjyqtari ndryshoi vendimin dhe akordoi golin për 2-0.
Wolves reagoi në minutën e 61-të. Pas një kombinimi të bukur mes Hugo Bueno dhe Santiago Bueno, i pari realizoi me një goditje të saktë në këndin e sipërm për 2-1, duke rikthyer ndeshjen në lojë.
Deri në fund pati disa ndërhyrje të ashpra dhe zëvendësime, ndërsa Arsenal u detyrua të zëvendësojë edhe Sakan për shkak dëmtimi.
Kur po luhej minuta e 94-të e ndeshjes, vendasit ia dolën të realizojnë sërish, ku kësaj radhe ishte Riccardo Calafiori ai i cili shënoi në portën e tij për rezultatin 2-2.
Ky barazim e dërgon Arsenalin në kuotën e 58 pikëve dhe në rast se Manchester City triumfon në ndeshjen që kanë më pak, diferenca mes dy skuadrave do të jetë vetëm dy pikë./Telegrafi/