Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, ka dhënë një përditësim inkurajues për gjendjen e Alexander Isak, duke lënë të kuptohet edhe një afat të mundshëm për rikthimin e sulmuesit suedez.
Isak, i cili është blerja më e shtrenjtë në historinë e Liverpoolit, u detyrua t’i nënshtrohej operacionit pasi theu këmbën në ndeshjen kundër Tottenham më 20 dhjetor.
Pas dy muajsh jashtë fushave, ai ka intensifikuar procesin e rikuperimit duke nisur stërvitjen e lehtë. Rikthimi i tij në skuadrën e parë do të bëhet gradualisht, pa marrë rreziqe të panevojshme.
Megjithatë, Slot la të kuptohet se rikthimi mund të jetë çështje javësh.
“Alex ka qenë në fushë, jo me këpucët e futbollit, por me atlete vrapimi për herë të parë këtë javë, kështu që do të duhet ende kohë”.
“Le të mos vendosim një afat të saktë, por është e qartë se ai do të jetë i gatshëm këtë sezon nëse gjithçka shkon sipas planit”.
“Mbase nga fundi i marsit ose fillimi i prillit ai do të rikthehet me grupin, por kjo nuk do të thotë se është menjëherë gati për të luajtur, e aq më pak për ta nisur një ndeshje si titullar”.
“Nuk e di nëse po ju sqaroj diçka të re, por para se të dalin në fushë, lojtarët nuk rrinë të shtrirë në shtrat 24 orë në ditë. Ata vijnë në qendrën stërvitore, bëjnë punë në palestër dhe ndjekin programin e rehabilitimit”.
“Është kënaqësi për të që të rikthehet në fushë, dhe për ne që ta shohim këtu. Ka ende punë për t’u bërë, por si lojtar e ndjen kur po i afrohesh fazës përfundimtare të rikuperimit. Sa kohë je vetëm në palestër dhe jo në fushë, nuk është pjesa më e bukur”.
“Hapi tjetër është puna me topin, që çdo lojtar e pëlqen më së shumti. Pastaj vjen integrimi me grupin dhe duhet ende kohë derisa të jesh plotësisht gati për të luajtur. Por është shumë pozitive që rehabilitimi po shkon mirë, kjo është meritë e tij dhe e stafit tonë mjekësor”, ka deklaruar Slot./Telegrafi/