Barcelona po anon fuqishëm drejt aktivizimit të opsionit të blerjes prej 30 milionë eurosh për ta shndërruar huazimin e Marcus Rashford nga Manchester United në një transferim të përhershëm gjatë verës. Vendimi vjen pas një vlerësimi të detajuar të brendshëm nga departamenti sportiv i klubit katalanas.
Sipas gazetës katalunase SPORT, drejtuesit e klubit kanë analizuar me kujdes të gjitha aspektet: avantazhet dhe disavantazhet, alternativat në treg si dhe ndikimin e menjëhershëm që sulmuesi anglez ka pasur që nga mbërritja e tij në janar. Përfundimi ka qenë i qartë – sigurimi i 28-vjeçarit konsiderohet lëvizja më logjike dhe më e arsyeshme për forcimin e repartit ofensivë.
Rashford u hodh menjëherë në formacionin titullar, për shkak të dëmtimit të Raphinha, pa kaluar një periudhë adaptimi. Pavarësisht presionit të madh, ai u përshtat me shpejtësi, duke treguar besim, personalitet dhe duke dhënë kontribute vendimtare në ndeshje kyçe.
Hezitimi fillestar nga drejtori sportiv Deco dhe ekipi i rekrutimit – të cilët kishin dyshime nëse lojtari mund të rikthente formën e tij më të mirë pas një periudhe të vështirë në “Old Trafford” – tashmë është shuar. Statistikat flasin qartë: 10 gola dhe 12 asistime deri tani, të shoqëruara me paraqitje të qëndrueshme që kanë rigjallëruar sulmin nën drejtimin e trajnerit Hansi Flick.
Raporti thekson se, ndonëse fillimisht klubi nuk ishte plotësisht i bindur për ta aktivizuar opsionin e blerjes, performancat e Rashford kanë ndryshuar rrënjësisht situatën në favor të tij.
“Barça ka peshuar të mirat dhe të këqijat, ka analizuar opsionet në treg dhe ka arritur në një përfundim të qartë: çmimi prej 30 milionë eurosh për Rashford (klubi do të tentojë ta ulë këtë shumë, edhe pse nuk do të jetë e lehtë) përfaqëson lëvizjen më të arsyeshme për interesat e Barcelonës”, shkruan SPORT. /Telegrafi/