Moderatori i njohur Alaudin Hamiti ka konfirmuar publikisht se është sulmuar në rrugë nga një person i panjohur, duke reaguar për herë të parë gjatë spektaklit “prime” të së premtes të Big Brother VIP Kosova.
Gjatë transmetimit live, ai falënderoi të gjithë ata që i kishin shkruar mesazhe mbështetjeje dhe sqaroi situatën, duke thënë: “Dua të falenderoj personalisht të gjithë ata që janë duke me shkruar, dua të them që po, ka ndodhur një incident, u gjeta i papërgatitur sepse nuk ka asnjë arsye për të pritur një agresion në rrugë. Por unë jam mirë siç po e shihni, sonte jemi këtu për spektakël, andaj le të fokusohemi te ajo që na bashkon të gjithëve, Big Brother VIP Kosova”.
Ndërkohë, në videon që ka qarkulluar në rrjet, shihet momenti kur një person i afrohet moderatorit në mes të rrugës dhe tenton ta sulmojë, teksa Hamiti largohet me shpejtësi për t’iu shmangur përplasjes.
Shkaqet e incidentit ende nuk janë bërë të ditura, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë reagime apo sqarime të mëtejshme lidhur me rastin. /Telegrafi/