Përzgjedhësi i Hungarisë, Marco Rossi ka paralajmëruar Liverpoolin se aventura e Dominik Szoboszlai në “Anfield” mund të mos jetë destinacioni i fundit i karrierës së tij.
Në një intervistë për “Winwin”, Rossi zbuloi se ëndrra e kahershme e mesfushorit është të luajë për Real Madrid.
“Për shkak të marrëdhënies shumë të afërt dhe direkte që kam pasur me Dominik Szoboszlai që nga momenti kur ai nisi të luajë futboll si fëmijë, Real Madrid ka qenë gjithmonë ëndrra e tij”.
“Që kur filloi të luajë futboll, Dominik ka pasur vetëm një ëndërr: të luajë për Real Madrid”.
“Nuk e di nëse do të arrijë ta bëjë atë hap, sepse vendimi varet nga ai dhe gjithashtu nga klubi i tij”.
“Ideja që ke gjithmonë në mendje është të përmbushësh ëndrrën dhe ta bësh realitet, dhe nga këndvështrimi im, kjo është e vetmja dhe më e rëndësishmja gjë që mund të dominojë mendjen e Dominikut”.
“Megjithatë, nuk e përjashtoj mundësinë që ai të qëndrojë te Liverpooli dhe ta rinovojë kontratën atje, sidomos pasi vlerësohet shumë brenda klubit. Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për Liverpoolin, dhe Liverpooli është një nga klubet më të mëdha në botë”.
Verën e kaluar, Liverpooli humbi Trent Alexander-Arnold drejt Real Madridit, ndërsa ekziston mundësia që e njëjta gjë të ndodhë edhe me Ibrahima Konate këtë vit.
Kontrata aktuale e Szoboszlait me Liverpoolin skadon në vitin 2028, dhe klubi anglez pritet të bëjë gjithçka për ta mbajtur atë përtej kësaj date, pasi ai është shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës këtë sezon./Telegrafi