Darwin Nunez ndodhet te Al-Hilal vetëm prej disa muajsh, por zhurma rreth lëvizjes së tij të radhës po rritet tashmë, duke e lënë të ardhmen e tij afatgjatë në Riad gjithnjë e më të pasigurt.
Sulmuesi uruguaian u transferua në Lindjen e Mesme verën e kaluar dhe fillimisht regjistroi statistika të kënaqshme, megjithatë spekulimet e kanë shoqëruar pothuajse menjëherë, me raportime të vazhdueshme që e lidhin me një rikthim të shpejtë në Europë ose me një transferim tjetër diku gjetkë.
Një faktor kyç që ka shtuar pasigurinë është evoluimi i repartit ofensiv të Al-Hilal, veçanërisht pas ardhjes së Karim Benzema në janar, gjë që natyrshëm ka ngritur pikëpyetje mbi minutat në dispozicion, statusin dhe vendin e Nunez në hierarkinë e skuadrës.
Interesimi i Fenerbahçes u bë shembulli më i qartë se sa shpejt emri i tij u rikthye në treg, me raportime që theksonin se klubi turk kishte bërë një kërkesë fillestare dhe kishte shqyrtuar mundësinë e një huazimi në fund të afatit kalimtar.
Megjithatë, të njëjtat burime theksonin se “nuk kishte asnjë garanci” që bisedimet do të përparonin, ndërsa Fabrizio Romano gjithashtu minimizoi mundësinë e një transferimi të Nunez në Stamboll gjatë asaj periudhe.
Tani që pluhuri i afatit kalimtar të janarit është ulur, duket se ish-sulmuesi i dashur i tifozëve të ‘Anfield’ vazhdon të përballet me vështirësi.
Sipas gazetës saudite Al-Youm, kryesuesit e Superligës së Arabisë, Al-Hilal, e kanë hequr uruguaianin nga lista për kampionatin vendas, ndërsa e kanë mbajtur të regjistruar për Ligën e Kampionëve të Azisë.
Në vend të tij, klubi ka regjistruar Marcos Leonardo në listën lokale, çka do të thotë se braziliani tashmë ka të drejtë të aktivizohet në ndeshjet e Superligës së Arabisë në javët në vijim./Telegrafi/