Në disa segmente të industrisë automobilistike zhvillimi është serioz dhe i shpejtë, ndërsa te akumulatorët pak gjëra kanë ndryshuar. Deri më tani.
Kompania amerikane Unigrid ka zhvilluar një bateri të re 12-voltëshe, për të cilën pretendon se ka një jetëgjatësi dhjetë herë më të madhe se bateria me plumb, se i përballon temperaturat e ulëta dhe se mund të shkarkohet plotësisht pa u dëmtuar.
Akumulatori i ri bazohet në një kimi krejtësisht të ndryshme nga ajo e baterive të vjetra me acid plumbi dhe përdor qeliza natrium-jon NaCrO₂. Si përbërës kryesor përdor kripë të zakonshme.
Një avantazh ndaj baterive litium-jon është gjithashtu fakti se rreziku i zjarrit është më i vogël dhe se akumulatori i ri nuk mund të shkaktojë të ashtuquajturin “ikje termike”.
Në Unigrid thonë se përparësitë krahasuar me bateritë me plumb janë të mëdha. Bateria pritet të karikohet dhe shkarkohet më shumë se 5000 herë në klima të nxehta dhe të ftohta, që është 10 herë më shumë se një bateri me acid plumbi.
Nëse duhet të parkoni makinën, nuk ka rëndësi nëse bateria është plotësisht e shkarkuar – ajo nuk do të dëmtohet. Bateria e përmendur ka dyfishin e energjisë së nisjes në kushte të ftohta krahasuar me një bateri tradicionale 12-voltëshe.
Akumulatori i ri pritet të jetë më i lirë se bateritë me bazë plumbi. Unigrid njofton se tashmë ka filluar ta shesë akumulatorin e ri te prodhuesit dhe distributorët e automjeteve. /Telegrafi/