Aktori Jesse Metcalfe (47), të cilin shumë e kujtojnë si kopshtarin simpatik John Rowland dhe dashnorin e Gabrielle Solis, personazhit të interpretuar nga Eva Longoria në serialin Desperate Housewives, ka zbuluar se ndërhyrja e vetme estetike që ka provuar deri më tani është botoksi. Ai theksoi gjithashtu se nuk planifikon të shkojë përtej injeksioneve kur bëhet fjalë për ruajtjen e pamjes.
“Një herë vendosa pak botoks në ballë. Kur u ktheva në shtëpi, vetullat më ishin të pabarabarta dhe mendova: ‘Këtë nuk do ta bëj më kurrë’”, tha 47-vjeçari në një intervistë për DailyMail. “Nuk kam asgjë kundër ndërhyrjeve jo-invazive, por nën bisturi nuk dua të shkoj, kurrë”, shtoi ai.
Edhe pse nuk i përjashton plotësisht operacionet plastike, themeluesi i markës NUTRL Skin shpreson ta ruajë sa më gjatë pamjen rinore në mënyrë natyrale. “Dua të bëj gjithçka që mundem për të ruajtur elasticitetin e lëkurës përpara se të mendoj për diçka të tillë”, u shpreh ai.
Metcalfe pranoi gjithashtu se pamja e tij e freskët ndonjëherë i krijon vështirësi në karrierën e aktrimit. “Është pak qesharake, por në njëfarë mënyre është edhe disavantazh, sepse njerëzit e moshës sime zakonisht marrin role më të pjekura, si role baballarësh. Unë ndonjëherë nuk dukem mjaftueshëm i madh, ndaj mbetem diku në mes, në një hapësirë të çuditshme ku nuk dukem në përputhje me moshën”, shpjegoi ai.
Megjithatë, ai theksoi se pamja e tij ka qenë edhe avantazh në karrierë. “Kam qenë me fat në këtë industri dhe mendoj se njerëzit më besojnë kur bëhet fjalë për bukurinë dhe kujdesin e lëkurës, sepse shohin që dukem më i ri se sa jam në të vërtetë”, tha aktori.
Metcalfe zbuloi së fundmi edhe pse personazhi i tij, kopshtari adoleshent John Rowland, u shfaq vetëm një sezon në “Desperate Housewives”. “Më larguan nga seriali. Pas sezonit të parë nuk dinin më çfarë të bënin me personazhin tim”, tregoi ai në podcastin “Not Skinny But Not Fat”.
Ai kujtoi se krijuesi i serialit, Marc Cherry, i kishte thënë: “Shiko, ky nuk është seriali ‘Kopshtarët e shtëpiakeve’, por ‘Shtëpiaket’. Fatkeqësisht nuk do të jesh më pjesë e kastit të rregullt, por do të të rikthejmë herë pas here”.
Në atë kohë, Metcalfe po përgatitej për rolin kryesor në filmin John Tucker Must Die, ndaj e la serialin pa hidhërim. “Thashë: ‘Shkëlqyeshëm, s’ka problem. Do të bëhem yll filmash’”, rrëfeu ai. “U riktheva herë pas here, por nuk më ndikoi shumë. E pranova me qetësi, sepse mendova: ‘Ky është vetëm fillimi’”. /Telegrafi/