Tre persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur në rrugën Prishtinë–Pejë, konkretisht në fshatin Bresje të Fushë Kosovës.
Në aksident janë përfshirë një autobus dhe dy vetura. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili bëri të ditur se të lënduarit kanë pësuar lëndime trupore dhe janë trajtuar nga ekipet mjekësore.
“Si pasojë e aksidentit, tre persona kanë pësuar lëndime trupore. Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e rrethanave të aksidentit”, ka deklaruar Hoxha.
Policia ka apeluar ndaj të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të shtojnë kujdesin gjatë ngasjes, me qëllim parandalimin e aksidenteve.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit janë në vazhdim.