Asociacioni i Komunave të Kosovës ka reaguar lidhur me gjendjen financiare të komunave, duke theksuar se rritja nominale e buxhetit nuk ka sjellë përfitime reale për nivelin lokal.
Sipas analizës së bazuar në Raportin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për vitin 2025, buxheti i komunave është rritur nga mbi 841 milionë euro në vitin 2024 në rreth 864 milionë euro në vitin 2025, që paraqet një rritje prej rreth 23.2 milionë euro.
Megjithatë, nga AKK theksojnë se kjo rritje nuk reflekton mbështetje reale për zhvillimin lokal.
“23 milionë euro ‘rritje’, 126 milionë euro humbje – e vërteta e financave të komunave”, thuhet në reagim, raporton Telegrafi.
Sipas analizës, pjesa më e madhe e kësaj rritjeje është konsumuar nga kategoria e pagave dhe mëditjeve, e cila është rritur për mbi 15 milionë euro si rezultat i vendimeve të nivelit qendror për rritjen e pagave në sektorin publik.
“Kjo rritje është rezultat i drejtpërdrejtë i vendimeve të nivelit qendror dhe jo një politikë që rrit kapacitetin zhvillimor të komunave”, thekson AKK.
Si pasojë, vetëm rreth 7.8 milionë euro kanë mbetur për kategoritë tjera, përfshirë mallrat dhe shërbimet, subvencionet dhe investimet kapitale, duke kufizuar ndjeshëm mundësitë për projekte zhvillimore.
Në të njëjtën kohë, nga Asociacioni vlerësohet performanca e komunave në rritjen e të hyrave vetanake, por theksohet se kjo përpjekje po zbehet nga barrat financiare të imponuara.
“Komunat kanë treguar performancë të lartë në rritjen e të hyrave vetanake, megjithatë ky progres po zbehet nga barrat e mëdha financiare që nuk varen nga vetë komunat”, thuhet më tej, përcjell Telegrafi.
AKK bën të ditur se gjatë vitit të kaluar komunave u janë marrë mbi 126.6 milionë euro si pasojë e vendimeve gjyqësore, kryesisht të lidhura me obligimet nga kontratat kolektive në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë.
“Rreth 27 për qind e këtyre mjeteve janë shpenzuar për kosto procedurale, përkatësisht përmbarues dhe avokatë, duke mos përfunduar drejtpërdrejt te përfituesit”, thekson reagimi.
Në përfundim, AKK vlerëson se komunat nuk kanë nevojë për rritje formale në letër, por për mbështetje konkrete që përkthehet në investime kapitale dhe përmirësim të shërbimeve për qytetarët. /Telegrafi/