Drejtori sportiv i Cagliarit, Guido Angelozzi, ka zbuluar detaje rreth transferimit të Semih Kılıçsoy nga Besiktasi, duke theksuar se klubi do të ishte “i çmendur” nëse nuk do ta aktivizonte opsionin e blerjes.
Sipas tij, talenti turk mund të arrijë vlerën 40 milionë euro në të ardhmen, ku deri tani ka arritur 4 gola në Serie A.
Skuadra sarde është sonte në aksion në Stadio Olimpico të Romës, ku përballet me Romën në kuadër të javës së 24-t të Serie A.
Kılıçsoy po shkëlqen te Cagliari
Pak tifozë e njihnin Semih Kılıçsoyn kur ai mbërriti në Cagliari gjatë verës nga Besiktasi. Sulmuesi turk u transferua në huazim për 1 milion euro, me opsion blerjeje prej 12 milionë eurosh. Në marrëveshje përfshihen gjithashtu: 2 milionë euro bonuse dhe 10 për qind përfitim nga shitja e ardhshme për Besiktasin.
“Është një talent i madh dhe shumë klube në Evropë po e ndjekin nga afër”, deklaroi Angelozzi për Sky Sport Italia.
Opsioni i blerjes, i sigurt
Javën e kaluar u raportua se Cagliari kishte tentuar ta aktivizonte më herët opsionin e blerjes për të kursyer para, por Besiktasi kishte refuzuar ndryshimin e kushteve.
Megjithatë, drejtori sportiv ishte i qartë: “Si mund të mos e blejmë? Do të ishim të çmendur të mos e bënim”.
Kjo e bën thuajse të sigurt se Cagliari do ta blejë përfundimisht kartonin e Kılıçsoyt për 12 milionë euro.
Vlerësimi i Montellës dhe potenciali i madh
Përzgjedhësi i Turqisë, Vincenzo Montella, ndodhet aktualisht në Itali dhe ka vizituar disa nga lojtarët e tij që luajnë në Serie A, përfshirë edhe Kılıçsoyn.
“Është një lojtar i ri dhe i jashtëzakonshëm, ka shënuar gola shumë të bukur. Montella na tha se është një futbollist shumë interesan”.
“Nëse vazhdon kështu, ai mund të vlejë deri në 40 milionë euro”, shtoi Angelozzi.
Si e fitoi Cagliari garën për talentin 19-vjeçar?
Angelozzi shpjegoi edhe prapaskenat e transferimit të talentit turk, duke treguar se si ndodhi gjithçka.
“Agjenti Federico Pastorello ia sugjeroi lojtarin presidentit tonë. Ne nisëm ta ndiqnim, dërguam një skaut në Turqi dhe më pas kontaktuam ndihmës-trajnerin e Montellës, i cili foli shumë mirë për të”.
Kështu, Cagliari arriti të mposhtte konkurrencën dhe të siguronte një nga talentët më premtues të futbollit turk. /Telegrafi/