Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka njoftuar se situata e vërshimeve në Kosovë ka shënuar përmirësim pas ndërprerjes së reshjeve të shiut dhe fillimit të reshjeve të borës.
Sipas të dhënave zyrtare të marra nga Qendrat Operative Emergjente 112 dhe njësitë operative në terren, niveli i ujit në lumenjtë kryesorë ka filluar të bie dhe nuk paraqitet rrezik i menjëhershëm për vërshime të reja.
“Situata në shumicën e komunave është e menaxhueshme. Reshjet e borës dhe ngricat kanë shkaktuar vetëm vështirësi të lokalizuara në qarkullim rrugor”, thuhet në njoftimin e Agjencisë.
Gjendja sipas rajoneve:
- Prishtinë & rrethinë: Vërshime të lokalizuara në nënkalime dhe bllokime të disa rrugëve dytësore; situata mbetet nën kontroll.
- Prizren: Intervenime minimale gjatë natës, kryesisht të natyrës teknike.
- Mitrovicë: Situatë kryesisht e qetë; disa familje në Mitrovicën e Jugut janë evakuuar përkohësisht si masë sigurie.
- Pejë: Dy intervenime të raportuara në Istog, përfshirë evakuimin e një familjeje; komunat e tjera me gjendje stabile.
- Gjakovë & Gjilan: Gjendje e qetë dhe nën kontroll; niveli i ujit në lumenj ka filluar të bjerë.
Agjencia thekson se njësitë profesionale të zjarrfikjes dhe shpëtimit janë të mobilizuar në të gjithë vendin dhe se sistemi i komunikimit emergjent 112 po monitoron situatën 24/7.
“Reshjet e borës dhe ngricat mund të shkaktojnë vështirësi në disa rrugë, disa prej të cilave mbeten të bllokuara për shkak të shembjeve të dheut. Apelojmë te qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes”, thuhet më tej.
Po ashtu, Agjencia ka bashkëpunuar me KEK-un dhe KOSTT-in, duke ofruar pompa thithëse me kapacitet të lartë për largimin e ujit nga objektet e prekura.
“Institucionet përgjegjëse janë në gatishmëri të plotë dhe do të ndërhyjnë sipas nevojës”, shtohet në njoftim. /Telegrafi/