Kosova është bërë një qendër e rëndësishme e aviacionit në rajon dhe një destinacion strategjik turistik.
Sipas raportit më të fundit të ACI Europe, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës renditet i pari në rajon dhe i shtati në Evropë për rritjen e numrit të pasagjerëve, duke u pozicionuar mes aeroporteve me zhvillimin më të shpejtë në kontinent.
Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, i vetmi aeroport ndërkombëtar në Kosovë, ka shënuar një rritje prej 12,7 për qind krahasuar me vitin e mëparshëm.
Ky rezultat pasqyron rritjen e qëndrueshme të kërkesës për udhëtime ajrore, zgjerimin e lidhjeve ndërkombëtare dhe forcimin e rolit të Prishtinës si një pikë kyçe në aviacionin evropian.
Renditja në Top 10 të Evropës tregon se tregu i udhëtimeve ajrore në Kosovë është në zhvillim të vazhdueshëm dhe ka potencial të lartë afatgjatë.
Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës thekson se kjo arritje mbështet vizionin për forcimin e rrjetit ajror, rritjen e kapaciteteve dhe konsolidimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës si një nyje rajonale të besueshme dhe konkurruese.