Gjatë javëve të fundit, Karim Adeyemi ka qenë në qendër të vëmendjes për arsye që shkojnë përtej paraqitjeve në fushë.
Sjellja e tij e paqëndrueshme jashtë terrenit ka ngritur shqetësime serioze dhe tashmë ekstremi i Borussia Dortmundit nuk mund t’i lejojë vetes gabime të tjera.
Fillimisht, ai u përfshi në një skandal të lidhur me posedim të paligjshëm armësh, më pas reagimi i papërshtatshëm pas zëvendësimit në ndeshjen kundër Borussia Monchengladbach, në mesin e dhjetorit, dëmtoi më tej imazhin e tij.
Në moshën 23-vjeçare, Adeyemi nuk ka dhënë aspak sinjale pozitive në këtë periudhë.
Sipas së përditshmes gjermane Bild, klubi ka vendosur ta mbajë futbollistin nën vëzhgim të rreptë.
Drejtuesit e Borussia Dortmundit nuk janë të gatshëm të tolerojnë devijime të tjera nga ana e sulmuesit të shpejtë, i cili tashmë ndodhet në një fazë delikate të karrierës së tij.
Faktorë shtesë që rëndojnë situatën
Problemet jashtë fushe nuk janë të vetmet që kanë dobësuar pozitën negociuese të Adeyemit, i cili prej kohësh po diskuton rinovimin e kontratës aktuale, e vlefshme deri në vitin 2027.
Edhe paraqitjet e tij sportive kanë qenë larg pritshmërive, ai nuk ka shënuar që nga muaji nëntor dhe forma e paqëndrueshme ka ngritur dyshime edhe tek ata që më parë mbështesnin vazhdimësinë e tij në klub.
Në këtë kontekst, javët e ardhshme priten të jenë vendimtare për të ardhmen e sulmuesit, i cili po ndiqet gjithashtu nga klube të mëdha si Manchester United, Arsenal dhe Tottenham.
Për të mbajtur të hapura të gjitha opsionet, Karim Adeyemi duhet të rikthejë sa më shpejt stabilitetin, si në fushë ashtu edhe jashtë saj. /Telegrafi/