Si ta përgatisni fëmijën për një takim festiv pa stres dhe lot
Në periudhën para festave, është pothuajse e pamundur të shmanget fakti që fëmija ta shohë diku Babadimrin – në reklama, në billboarde apo ndoshta në kopsht.
Tek shumë fëmijë, plaku simpatik me mjekër të bardhë shkakton entuziazëm, por tek disa të tjerë mund të shkaktojë edhe frikë.
Psikologët kanë shpjeguar pse është normale që fëmijët të kenë frikë nga Babadimri, si dhe çfarë duhet të bëni nëse ndodh kjo, në mënyrë që ta ndihmoni fëmijën të kapërcejë frikën.
Frika nga Babadimri është normale
Psikologët thonë se nga pikëpamja zhvillimore është krejtësisht normale që fëmijët e vegjël të hezitojnë dhe të ndiejnë ankth kur duhet t’i afrohen ose të krijojnë kontakt me një të rritur që nuk e njohin mirë.
– Ndjenja natyrore e vetëmbrojtjes tek fëmijët shpesh aktivizohet kur ata detyrohen të ulen pranë një personi që nuk e njohin, sidomos nëse ai person ka mjekër të dendur të bardhë, zë depërtues dhe vesh një kostum të çuditshëm të kuq, thotë psikologia nga organizata Kids First, Amy Jensen-Sturgeon.
– Ironikisht, ne u mësojmë fëmijëve për “rrezikun nga të panjohurit”, vetëm për ta përmbysur këtë mësim gjatë festave, duke i nxitur të tregojnë sekrete një personi të panjohur, vetëm që të bëjmë një fotografi për album, shton ajo.
Ajo thekson se ka disa gjëra që mund t’i bëni për ta përgatitur fëmijën për takimin me Babadimrin dhe për ta qetësuar, në mënyrë që ky takim të kalojë më i relaksuar.
5 këshilla se si takimi me Babadimrin të jetë argëtues
Flisni me fëmijët për atë që ka gjasa të ndodhë gjatë takimit me Babadimrin. Kur fëmijët e dinë çfarë të presin kur takojnë një njeri me kostum të kuq, e kanë më të lehtë të përballen me ankthin e tyre. Shpjegojini se çfarë do të ndodhë gjatë takimit dhe sigurojini se do të jeni aty për t’i mbështetur.
1. Kërkoni ndihmën e një fëmije më të madh
Shumë fëmijë mësojnë duke vëzhguar të tjerët, prandaj inkurajoni fëmijën tuaj të frikësuar të shikojë nga larg se si një vëlla, motër apo shok i tyre ulet pranë Babadimrit. Kur fëmija e kupton se vizita te Babadimri është në fakt diçka argëtuese, ndoshta do të dëshirojë të marrë pjesë edhe vetë.
2. Njoftojeni fëmijën me Babadimrin paraprakisht
Para se ta çoni fëmijën në një qendër tregtare të mbushur me njerëz për të takuar një njeri të çuditshëm me kostum të kuq, tregojini histori për Babadimrin, në mënyrë që ta njohë këtë personazh dhe ta shohë si miqësor dhe të gëzuar, e jo si dikë të ri dhe potencialisht frikësues. Librat me tregime, videot, madje edhe prezantimet online të Babadimrit, mund ta ndihmojnë fëmijën të përgatitet më mirë për këtë takim.
3. Jini të durueshëm
Kur e çoni fëmijën për ta takuar Babadimrin, filloni nga larg dhe gradualisht inkurajojeni të afrohet, ashtu siç ndihet më rehat. Mund të jetë e nevojshme të bëni dy ose tre “kalime” pranë Babadimrit përpara se fëmija të mbledhë guximin t’i afrohet vërtet. Kjo është plotësisht normale!
4. Nëse nuk funksionon – gjithmonë ka një vit tjetër!
Nëse asgjë nga këto nuk arrin ta qetësojë fëmijën, mos këmbëngulni. Është krejtësisht normale që fëmijët e vegjël të kenë frikë nga Babadimri, ashtu si edhe nga personazhe të tjerë të veshur me kostume. Shumica e fëmijëve e kapërcejnë këtë frikë me kalimin e kohës dhe ka edhe mënyra të tjera për t’i shënuar festat. Në vend të kësaj, provoni të bëni fotografi pranë bredhit të Vitit të Ri. Fëmija do të ndihet më rehat, ndërsa ju do të keni gjithsesi një kujtim të bukur për ta ruajtur dhe për ta ndarë me gjyshërit, familjarët dhe miqtë.
5. Ndihma profesionale
Nëse ju duket se ankthi i fëmijës suaj është më i theksuar sesa tek bashkëmoshatarët e tij, mos hezitoni të kërkoni ndihmë nga një psikolog për fëmijë, i cili mund ta ndihmojë vogëlushin ta kapërcejë këtë frikë dhe të shijojë më qetë festat. /Telegrafi/