Çfarë ngjyre kanë pikat në këtë imazh? Një iluzion optik marramendës është zhvilluar nga shkencëtarët për të treguar se si perceptimi ynë i ngjyrës mund të shtrembërohet lehtësisht.
Në shikim të parë mund të duket si një pyetje e thjeshtë. Por nëse kaloni disa sekonda duke analizuar me kujdes figurën, do të vini re se ngjyrat ndryshojnë nga një nuancë blu në një nuancë vjollcë, varësisht nga pika në të cilën po përqendroheni.
Hinnerk Schulz-Hildebrandt, një inxhinier optike biomjekësore në Shkollën Mjekësore të Harvardit, krijoi iluzionin për të treguar se si funksionojnë qelizat detektuese të ngjyrave në sytë tanë.
Ai e përfshiu atë si pjesë të një studimi, të botuar në revistën Perception, që zbulon se truri ynë mund ta lexojë gabim ngjyrën.
“Në këtë punim përshkruhet një iluzion optik i ri në të cilin strukturat (pikat) vjollcë perceptohen si vjollcë në pikën e fiksimit, ndërsa strukturat përreth (pikat) me të njëjtën ngjyrë vjollcë perceptohen drejt një nuance blu”, shkroi ai.
‘Ndërsa distanca e shikimit rritet, një numër më i madh i strukturave (pikave) vjollcë kthehen në një pamje vjollcë’, theksoi ndër tjera ai.
Ai shpjegoi se në sytë tanë ekzistojnë tre lloje konesh, ose qelizash që zbulojnë ngjyrat: konet L, konet S dhe konet M.
Këto shkronja përfaqësojnë gjatësinë e valës ndaj së cilës secila është e ndjeshme.
Për shembull, konet L kapin më mirë tonet e kuqe, ndërsa konet S mund të zbulojnë blutë dhe konet M janë më të ndjeshme ndaj të gjelbrave dhe të verdhave.
Këto lloje konesh nuk shpërndahen në mënyrë të barabartë në të gjithë syrin dhe janë të shpërndara në mënyrë të pabarabartë.
Në zonën e shikimit më të mprehtë, konet S që kapin tonet blu mungojnë pothuajse plotësisht, shpjegoi ai.
Kjo do të thotë që sytë tanë nuk janë aq të mirë në të parë blunë sa ngjyrat e tjera, shpjeguan ekspertët – veçanërisht kur e shikoni drejtpërdrejt. /Telegrafi/