Kremrat kundër plakjes mund ta përmirësojnë pamjen e lëkurës, por efektiviteti i tyre varet nga përbërësit, përdorimi i saktë dhe nevojat e lëkurës suaj, ndaj premtimet nuk janë gjithmonë të njëjta me rezultatet
Ndër shenjat e para të plakjes së lëkurës janë vijat e holla, toni i zbehtë dhe humbja e elasticitetit, gjë që i shtyn shumë njerëz të përdorin kremra kundër plakjes. Në ditët e sotme, tregu i bukurisë është i mbushur me produkte që premtojnë lëkurë rinore, të ndritshme dhe pa rrudha. Por sa efektive janë realisht këto formula dhe a mund ta përmbysin vërtet procesin e plakjes?
Sipas ekspertëve, përfshirë Rashmi Sriram, dermatologe në Spitalin Fortis, Rajaji Nagar, Bengaluru, shkenca që qëndron pas këtyre kremrave dhe përbërësit e tyre janë thelbësorë dhe pikërisht këta faktorë përcaktojnë nëse një krem kundër plakjes është vërtet efektiv.
Çfarë mund të bëjnë kremrat kundër plakjes dhe çfarë jo
Kremrat kundër plakjes janë të dizajnuar për të përmirësuar pamjen e lëkurës që plaket, por efektiviteti i tyre varet nga formula, përqendrimi i përbërësve aktivë dhe përdorimi i rregullt. Sipas dr. Sriram, ato mund të përmirësojnë strukturën e lëkurës, të rrisin hidratimin dhe të zvogëlojnë praninë e vijave të holla, “por nuk mund t’i fshijnë përgjithmonë rrudhat apo të ndalojnë procesin natyror të plakjes.”
Plakja ndikohet nga një kombinim faktorësh si gjenetika, ekspozimi ndaj diellit, ndotja, zakonet e jetesës dhe rënia natyrore e kolagjenit dhe elastinës në trup me kalimin e kohës.
– Një krem i mirë kundër plakjes e mbështet strukturën dhe funksionin e lëkurës, por pritja e rezultateve dramatike brenda natës është joreale, transmeton Telegrafi.
shutterstock
Përbërësit në kremrat kundër plakjes që funksionojnë realisht
Retinoidet (retinol, retinaldehid, tretinoin)
Retinoidet janë standardi i artë, thekson dr. Sriram. Ato stimulojnë prodhimin e kolagjenit, rrisin rinovimin qelizor dhe ndihmojnë në reduktimin e vijave të holla dhe pigmentimit. Në fillim mund të shkaktojnë irritim, prandaj fillestarët duhet të nisin me përqendrime më të ulëta.
Vitamina C
Vitamina C është një antioksidant i fuqishëm që lufton radikalet e lira dhe ndriçon tonin e lëkurës. Ajo gjithashtu mbështet sintezën e kolagjenit, duke e bërë lëkurën më të fortë dhe më të shndritshme me kalimin e kohës.
Acidi hialuronik
Acidi hialuronik ndihmon lëkurën të ruajë lagështinë dhe ta bëjë atë më të plotë.
– Ofron një efekt të menjëhershëm hidratimi, duke i bërë vijat e holla më pak të dukshme – shpjegon dr. Sriram.
Peptidet
Peptidet stimulojnë lëkurën të prodhojë më shumë kolagjen. Me kalimin e kohës, ato kontribuojnë në forcimin dhe lëmimin e lëkurës.
AHA dhe BHA acide
Acidet si ai glikolik dhe salicilik eksfoliojnë qelizat e vdekura të lëkurës, përmirësojnë strukturën dhe rrisin përthithjen e përbërësve të tjerë.
Sa kohë nevojitet që të japin efekt?
– Kremrat kundër plakjes kërkojnë durim. Shumicës së përbërësve u duhen të paktën tetë deri në dymbëdhjetë javë për të shfaqur ndryshime të dukshme, thotë dr. Sriram. Retinoideve ndonjëherë u duhen edhe deri në gjashtë muaj. Përdorimi i rregullt dhe i saktë është kyç, ndërsa përdorimi i tepruar mund ta irritojë lëkurën dhe të neutralizojë efektet.
Kush duhet të fillojë përdorimin e kremrave kundër plakjes?
Ekspertët këshillojnë parandalimin.
– Nuk keni pse të prisni shfaqjen e rrudhave. Përbërësit më të butë kundër plakjes mund të përdoren që në mesin e të njëzetave për të ngadalësuar shenjat e hershme të plakjes, thotë dr. Sriram. Formula më të forta, si retinoidet, duhet të futen me kujdes, sidomos nëse keni lëkurë të ndjeshme ose të prirur ndaj akneve.
Si të zgjidhni kremin e duhur kundër plakjes
Gjatë përzgjedhjes, kushtojini vëmendje këtyre pikave:
- përbërje të shkurtër dhe efektive
- studime klinike ose rekomandime nga dermatologë
- paketim stabil (i mbyllur hermetikisht, jo transparent)
- zgjedhje sipas tipit të lëkurës suaj
- shmangni kremrat që premtojnë mrekulli ose rezultate të menjëhershme
/Telegrafi/