Në përfundim të mandatit të tij tetëvjeçar në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, drejtori i GIZ, David Oberhuber, flet për transformimin e bashkëpunimit gjermano-kosovar, nga mbështetja për ndërtimin e institucioneve drejt zhvillimit ekonomik, inovacionit, energjisë së ripërtëritshme dhe integrimit evropian.
Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, Oberhuber vlerëson se Kosova është një shoqëri funksionale me institucione efektive dhe njerëz të aftë, megjithatë sipas tij, dy sfida strukturore vazhdojnë të ndikojnë në zhvillimin e saj.
Ai ka folur për projektet e GIZ në Kosovë, bashkëpunimet me bizneset, institucionet, organizatat dhe projektet e kryesore të zhvilluara këto vite.
Për më shumë lexo intervistën e plotë:
Telegrafi: Z. Oberhuber, jeni në fund të mandatit tuaj 8-vjeçar në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut. Cilat kanë qenë prioritetet kryesore të GIZ-it në Kosovë gjatë kësaj periudhe?
Oberhuber: Gjatë viteve të fundit, angazhimi i GIZ në Kosovë është transformuar nga mbështetja për ndërtimin e institucioneve në periudhën pas konfliktit drejt një fokusi më të fortë në modernizim, zhvillim ekonomik të orientuar nga e ardhmja dhe integrim evropian.
Një nga prioritetet kryesore në vitet e fundit ka qenë diversifikimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të punës, duke kaluar përtej mbështetjes përmes granteve drejt krijimit të kushteve dhe mundësive më të qëndrueshme ekonomike përmes inovacionit, zhvillimit të aftësive dhe rritjes së sektorit privat.
Një tjetër fokus i rëndësishëm ka qenë modernizimi i sistemit energjetik dhe sektorit të mjedisit si bazë për një ekonomi moderne dhe në përputhje me standardet evropiane. Gjithashtu kemi bashkëpunuar ngushtë me institucionet publike në procesin e digjitalizimit dhe përmirësimit të ofrimit të shërbimeve, duke ndihmuar në uljen e barrës administrative dhe forcimin e efikasitetit dhe transparencës.
Edhe bashkëpunimi ndërkombëtar ka evoluar, Kosova, gjithnjë e më shumë po merr përgjegjësi dhe madje po kontribuon financiarisht në projekte të përbashkëta Gjermano-Kosovare, duke reflektuar një partneritet të matur dhe përkushtim më të fortë kombëtar.
Në përgjithësi, fokusi ka qenë mbështetja e transformimit të Kosovës në një ekonomi më konkurruese, më të qëndrueshme dhe të orientuar drejt zhvillimit ekonomik.
Telegrafi: GIZ Kosova ka qenë aktive edhe në fusha si zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, arsimi dhe qeverisja e mirë. Si kontribuojnë këto iniciativa në zhvillimin afatgjatë të Kosovës?
Oberhuber: Këto fusha janë të lidhura ngushtë mes tyre dhe janë thelbësore për zhvillimin afatgjatë.
Në fushën e inovacionit dhe zhvillimit ekonomik, kemi bashkëpunuar ngushtë me partnerë si Innovation Centre Kosovo (ICK), Shoqatën Kosovare të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (STIKK) dhe partnerë të tjerë në Prishtinë. Themelimi i Parkut për Inovacion dhe Trajnim (ITP) në Prizren kishte për qëllim të dëshmonte se iniciativat e inovacionit mund të jenë të suksesshme edhe jashtë zonave qendrore të vendit. Në prill të vitit 2026 – gjashtë vjet pas hapjes – ITP Prizren arriti vetë qëndrueshmëri financiare dhe tashmë ofron hapësirë për 500 vende pune të qëndrueshme dhe të paguara mirë. Kjo iniciativë mbështet transformimin ekonomik dhe digjital dhe krijon vende të sigurta pune për të rinjtë dhe profesionistët e arsimuar.
Në nivelin e politikave, Kosova ka shënuar gjithashtu përparim të rëndësishëm. Jemi krenarë që kemi pasur mundësi ta mbështesim Kosovën në rikthimin e saj aktiv në proceset rajonale të lehtësimit të tregtisë përmes CEFTA-s. Dogana e Kosovës është një partner i fortë i GIZ, e përkushtuar për reduktimin e barrierave tregtare dhe garantimin e sigurisë së importeve. Gjithashtu bashkëpunojmë me institucionet qeveritare dhe komunitetin e biznesit, veçanërisht me Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare (KDWV), për ngritjen e standardeve të produkteve dhe shërbimeve kosovare në përputhje me kërkesat e tregut të BE-së.
Në fushën e qeverisjes së mirë, falë një ekipi veçanërisht të përkushtuar në qeveri, kemi mbështetur lehtësimin e procedurave administrative dhe uljen e barrës burokratike për qytetarët dhe bizneset. Këto përmirësime, të lidhura me digjitalizimin e shërbimeve publike, rrisin efikasitetin, transparencën dhe besimin në institucionet publike, duke krijuar një mjedis më të favorshëm për investime dhe zhvillim ekonomik. Përmes “eKosova”, vendi tashmë ka një platformë funksionale dhe të konsoliduar ku mund të integrohen edhe të gjitha shërbimet për të cilat kemi punuar së bashku me partnerët tanë.
Njëkohësisht, puna jonë në menaxhimin e mbeturinave dhe ekonominë qarkore synon ta përafrojë Kosovën me standardet evropiane, duke krijuar njëkohësisht mundësi të reja ekonomike. Përparimi në këtë fushë ka qenë më i ngadalshëm se sa pritej për shkak të vonesave të financimit në nivel evropian dhe zhvillimeve të politikës së brendshme. Për shembull, iniciativa të rëndësishme si Sistemi i Rimbursimit të Depozitave nuk janë zhvilluar me ritmin që është planifikuar. Megjithatë, themelet janë vendosur dhe këto reforma mbeten thelbësore për zvogëlimin e ndikimeve mjedisore dhe për mbështetjen e një ekonomie më efikase në përdorimin e burimeve. Ekonomia qarkore nuk është vetëm një kërkesë mjedisore, por një model modern biznesi që ekonomia e Kosovës duhet ta përqafojë për të rritur konkurrueshmërinë.
Foto: GIZ Kosova
Telegrafi: GIZ ka zhvilluar projekte për përgatitjen e të rinjve me aftësitë që kërkon tregu i punës. A mund të ndani disa shembuj konkretë të këtyre iniciativave?
Oberhuber: Një nga prioritetet tona kryesore ka qenë fuqizimi i Arsimit dhe Aftësimi Profesional (AAP) për ta harmonizuar më mirë zhvillimin e aftësive me nevojat e tregut të punës. Së bashku me partnerët tanë kemi pilotuar me sukses sistemin e arsimit dual në disa profile profesionale, duke kombinuar mësimin teorik në klasë me përvojën praktike në kompani.
Fatkeqësisht, procesi është vonuar për shkak të zhvillimeve politike. Pa bllokadat institucionale që kanë prekur parlamentin dhe qeverinë gjatë vitit të fundit, Kosova do të kishte mundur të kalonte drejt një sistemi të rregullt të arsimit dual duke filluar nga viti i ri shkollor në shtator 2026. Për shkak të dinamikave aktuale politike, mbetet e paqartë nëse kjo do të mund të zbatohet plotësisht deri në shtator 2027. Një sistem modern i arsimit profesional është një nga kërkesat kryesore të investitorëve të huaj.
Gjithashtu kemi punuar për përmirësimin e mundësive në tregun e punës përmes programeve që mbështesin punësimin, riintegrimin dhe angazhimin me diasporën. Objektivi ka qenë krijimi i vendeve të reja të punës që u ofrojnë të rinjve perspektiva reale për të ndërtuar të ardhmen e tyre në Kosovë.
Realiteti i tregut të punës tregon gjithashtu zhvillimin e madh që ka përjetuar Kosova gjatë dekadës së fundit. Sot, masat për tregun e punës nuk fokusohen vetëm te grupet e cenueshme, por edhe te integrimi i grupeve të reja, si punëtorët migrantë dhe gratë e moshës së mesme që më parë nuk merrnin pjesë në tregun e punës.
Telegrafi: Cilat projekte konkrete po zbaton aktualisht GIZ në Kosovë në fushën e energjisë së ripërtëritshme dhe sektorin e energjisë në përgjithësi?
Oberhuber: Tranzicioni energjetik nuk është vetëm një domosdoshmëri mjedisore, por edhe një parakusht për zhvillimin afatgjatë ekonomik të Kosovës. Sistemi aktual energjetik është ende në tranzicion drejt qëndrueshmërisë dhe integrimit evropian, ndërkohë që vazhdon të gjenerojë kosto të konsiderueshme shëndetësore dhe mjedisore që ndikojnë në të gjithë shoqërinë dhe ekonominë.
Si një vend relativisht i vogël, Kosova ka një mundësi unike për ta përshpejtuar këtë tranzicion dhe për të ndërtuar një sistem modern dhe të qëndrueshëm energjetik. GIZ mbështet këtë proces përmes një sërë iniciativash të fokusuara në energjinë e ripërtëritshme dhe efiçiencën energjetike.
Një shembull veçanërisht i rëndësishëm është bashkëpunimi ynë përmes një mekanizmi të përbashkët financimi Danezo-Gjerman, i cili bashkon burimet për të mbështetur tranzicionin energjetik të Kosovës. Kjo përfshin mbështetje si për zhvillimin e energjisë së ripërtëritshme, ashtu edhe për masat e efiçiencës energjetike.
Jemi krenarë që GIZ ka luajtur një rol vendimtar në themelimin e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë para shtatë vitesh dhe në mbështetjen e zhvillimit të tij, fillimisht me fokus në përmirësimin e performancës energjetike të ndërtesave publike dhe më pas duke zgjeruar mbështetjen edhe për ndërtesat rezidenciale.
Qëllimi është të reduktohet konsumi i energjisë, të ulen kostot për qytetarët dhe të përmirësohen kushtet e jetesës. Këto investime jo vetëm që kontribuojnë në veprimin klimatik, por forcojnë konkurrueshmërinë ekonomike, sigurinë energjetike të vendit dhe, mbi të gjitha, shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve sot dhe në të ardhmen.
Aktualisht po punojmë me partnerët kombëtarë për të forcuar kapacitetet zbatuese, në mënyrë që më shumë qytetarë të përfitojnë dhe që efiçienca energjetike të bëhet pjesë integrale e tranzicionit afatgjatë energjetik të Kosovës.
Telegrafi: Si e vlerësoni bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës në zbatimin e projekteve tuaja, sidomos gjatë një periudhe me zgjedhje të shpeshta parlamentare?
Oberhuber: Bashkëpunimi ynë me qytetarët dhe qeveritë e Kosovës ka qenë gjithmonë shumë pozitiv dhe i vlerësuar, pavarësisht se cila parti politike ka qenë në pushtet. Prioritete si zhvillimi ekonomik, tranzicioni energjetik, arsimi dhe inovacioni kanë gëzuar përgjithësisht mbështetje të gjerë në të gjithë spektrin politik. Një shembull i mirë është ITP Prizren, i cili ka përfituar nga përkushtimi dhe vazhdimësia ndërpartiake ndër vite.
Faktori më i rëndësishëm është ekzistenca e institucioneve funksionale dhe proceseve efektive të vendimmarrjes. Kur qeveria dhe parlamenti funksionojnë plotësisht, projektet ecin përpara më me efikasitet, reformat miratohen dhe zbatimi përshpejtohet. Gjatë periudhave të pasigurisë politike ose tranzicioneve të gjata institucionale, disa procese dhe projekte përjetojnë në mënyrë të pashmangshme vonesa.
Nga jashtë, puna jonë është më e dukshme kur organizojmë konferenca publike, shpërndajmë certifikata pas trajnimeve apo dorëzojmë kamionë për mbledhjen e mbeturinave. Megjithatë, puna kryesore e kolegëve tanë është bashkëpunimi me zyrtarët publikë për ta integruar një koncept të prezantuar në konferencë në proceset normale administrative, për të siguruar që trajnimet të bëhen masa të rregullta të institucioneve publike ose që kamionët e mbeturinave të jenë pjesë e një sistemi kombëtar dhe komunal funksional të menaxhimit të mbeturinave.
Ky është thelbi i qëndrueshmërisë dhe kjo është e mundur vetëm kur nivelet vendimmarrëse të institucioneve publike funksionojnë plotësisht. Fatkeqësisht, gjatë një viti e gjysmë të fundit, Kosova ka humbur shumë kohë.
Telegrafi: GIZ ka mbështetur edhe mediat dhe organizatat e shoqërisë civile në fusha të ndryshme, si zhvillimi i përmbajtjes, forcimi i demokracisë dhe pjesëmarrja qytetare. Sa të rëndësishme janë këto iniciativa për shoqërinë kosovare?
Oberhuber: Në kontekstin e shoqërisë civile, Kosova është ende në proces tranzicioni nga një model i mbështetur kryesisht nga donatorët drejt një sektori më të konsoliduar dhe më të vetëqëndrueshëm.
Në të ardhmen pritet të shohim rrugë të ndryshme zhvillimi: disa organizata joqeveritare mund të evoluojnë në ofrues profesionistë të shërbimeve dhe konsulencës, ndërsa të tjera do të forcojnë rolin e tyre si avokuese për komunitete të caktuara, grupe shoqërore dhe interesa publike. Të dyja janë të rëndësishme për një demokraci të shëndetshme dhe gjithëpërfshirëse.
Ne mbetemi të përkushtuar për ta mbështetur këtë zhvillim dhe janë planifikuar iniciativa të reja për fuqizimin e shoqërisë civile në Ballkanin Perëndimor përmes një projekti të ardhshëm.
Sa i përket mediave, sfida kryesore mbetet qëndrueshmëria. Tregjet mediatike kombëtare në Ballkanin Perëndimor janë të vogla, duke e bërë të vështirë zhvillimin e modeleve të qëndrueshme të biznesit dhe njëkohësisht ruajtjen e gazetarisë cilësore dhe të pavarur.
Për këtë arsye, fokusi ynë është zhvendosur gjithnjë e më shumë drejt mbështetjes së modeleve të qëndrueshme mediatike dhe qasjeve rajonale që mund t’u mundësojnë mediave të mbeten ekonomikisht të qëndrueshme, duke vazhduar njëkohësisht të ofrojnë informacion të besueshëm dhe të kontribuojnë në debatin demokratik.
Telegrafi: Cilat janë planet dhe prioritetet kryesore të GIZ në Kosovë për vitin 2026 e tutje?
Oberhuber: Duke parë drejt të ardhmes, GIZ do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin ekonomik, social dhe institucional të Kosovës me një fokus të fortë në qëndrueshmëri, duke integruar ndryshimet pozitive në shërbimet e rregullta që ofrohen nga qeveria dhe institucionet publike e shoqërore.
Gati dy dekada pas shpalljes së pavarësisë, Kosova është një shoqëri dhe shtet funksional e i vetëqëndrueshëm. Megjithatë, si në çdo vend tjetër, mbeten shumë fusha që mund dhe duhet të përmirësohen. GIZ është i gatshëm të vazhdojë ta mbështesë Kosovën edhe në të ardhmen në rrugën e saj drejt njohjes si shtet i pavarur, multietnik dhe pjesë konstruktive e Evropës.
Zhvillimi dhe rritja ekonomike mbeten prioritet i punës sonë. Në këtë drejtim synojmë të forcojmë angazhimin me diasporën, e cila përfaqëson një burim të rëndësishëm të dijes, investimeve, inovacionit dhe raporteve ndërkombëtare. Shohim potencial të madh në krijimin e raporteve më të forta ndërmjet diasporës dhe zhvillimit ekonomik lokal, gjë që është gjithashtu në interes të rritjes ekonomike të Gjermanisë.
Një fokus tjetër kyç do të jetë bashkëpunimi me komunat në të gjithë Kosovën. Përmes iniciativave si “Municipal Growth Facility” synojmë të përfshijmë më shumë komuna në zbatimin e programeve tona kombëtare për të mbështetur zhvillimin lokal, përmirësimin e shërbimeve dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet të gjitha komuniteteve. Kjo përfshin edhe bashkëpunimin me komuna ku jetojnë si komuniteti shumicë shqiptar ashtu edhe komunitetet joshumicë, duke kontribuar në zhvillim gjithëpërfshirës në mbarë vendin.
Në të njëjtën kohë, shumë reforma dhe investime të rëndësishme varen nga funksionimi efektiv i institucioneve. Prandaj, do të vazhdojmë punën tonë për fuqizimin e institucioneve dhe ofrimin transparent e të qasshëm të shërbimeve publike për të gjithë qytetarët.
Telegrafi: Pas 8 vjetësh në Kosovë dhe Ballkan, cili do të ishte mesazhi juaj përfundimtar dhe si do ta kujtoni këtë përvojë?
Oberhuber: Gjatë këtyre tetë viteve kam pasur mundësinë të dëshmoj dhe të përjetoj zhvillimin e shoqërisë së Kosovës dhe rritjen e vazhdueshme të ekonomisë së saj. Ka një progres të dukshëm dhe një qëndrueshmëri të fortë shoqërore që shpesh nënvlerësohet nga jashtë.
Shumë vëzhgues ndërkombëtarë vijnë fillimisht me supozimin se po mbështesin një vend që nuk funksionon. Përvoja ime ka treguar të kundërtën: Kosova është një shoqëri funksionale me institucione efektive dhe njerëz të aftë. Megjithatë, dy sfida strukturore vazhdojnë të ndikojnë në zhvillimin e saj.
E para është mungesa e njohjes së plotë ndërkombëtare të Kosovës, e cila ndikon në shumë aspekte të jetës ekonomike, politike dhe shoqërore. E dyta ka të bëjë me ritmin e përgjithshëm të zhvillimit dhe bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor, i cili ndikon drejtpërdrejt në progresin dhe mundësitë e Kosovës. Në këtë kontekst, është në interes të të gjitha vendeve të rajonit që të ecin përpara së bashku, pasi përparimi rajonal përkthehet në më shumë përfitime për qytetarët dhe më shumë stabilitet për të gjithë.
Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje te Kosova është rezilienca dhe aftësia përshtatëse e njerëzve të saj. Kosovarët kanë një aftësi të jashtëzakonshme për të përballuar pasiguritë dhe për t’u përshtatur me ndryshimin e rrethanave. Kjo është një cilësi që jo vetëm mbështet zhvillimin e Kosovës, por është edhe diçka nga e cila pjesa tjetër e Evropës, përfshirë Gjermaninë, mund të mësojë.
Mbi të gjitha, do ta kujtoj këtë përvojë për mundësinë që pata të punoja me kolegë jashtëzakonisht të përkushtuar në ekipin e GIZ në Kosovë dhe në organizatat gjermane, veçanërisht Ambasadën Gjermane dhe KfW, si dhe me partnerë dhe miq të vërtetë në institucionet dhe shoqërinë kosovare, të përkushtuar për të ndërtuar partneritete, për të sjellë ndryshim, për të përmirësuar kushtet dhe për të arritur progres në dobi të njerëzve. /Telegrafi/
