Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka vazhduar procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht nga votimi përmes postës.
Sipas të dhënave të KQZ-së, deri në përfundim të ditës së shtunë, më 13 qershor 2026, janë vlerësuar gjithsej 75,590 pako. Prej tyre, 72,746 janë aprovuar, ndërsa 2,844 janë refuzuar.
Arsyeja kryesore e refuzimit ka qenë mungesa e dëftesës së regjistrimit, dokument që përmban të dhëna unike dhe që i dërgohet votuesit të regjistruar nga KQZ-ja. Për këtë arsye janë refuzuar 2,571 pako.
Ndërkaq, arsyet e tjera të refuzimit lidhen me rastet kur në një pako janë gjetur më shumë se një fletëvotim ose më shumë se një person (177 raste), kur votuesi e ka dërguar pakon nga një shtet tjetër nga ai ku ishte regjistruar për votim (21 raste), kur në pako është gjetur vetëm dëftesa e regjistrimit pa fletëvotim (27 raste), kur ka munguar pulla ose vula postare (5 raste), si dhe në një rast kur fletëvotimi ka qenë i shtypur.
Po ashtu, KQZ-ja ka evidentuar edhe 42 zarfe të dërguara gabimisht.
Procesi i vlerësimit të pakove me fletëvotime nga diaspora po vazhdon në QNR./Telegrafi/
