Një studim i Universitetit Stanford tregon se ndryshimi i këndit të shputës gjatë ecjes mund të ulë ngarkesën në gju dhe të lehtësojë dhimbjen te personat me osteoartrit
Osteoartriti i gjurit, i njohur edhe si artrozë ose gonartrozë, është sëmundje kronike degjenerative e nyjave, e cila shfaqet si pasojë e konsumimit dhe dëmtimit gradual të kërcit artikular. Është forma më e shpeshtë e artritit dhe një nga shkaktarët kryesorë të dhimbjes së gjunjëve, sidomos te personat e moshuar.
Osteoartriti i gjurit më së shpeshti paraqitet te njerëzit mbi moshën 40 vjeç.
Për ta kuptuar më lehtë se çfarë ndodh kur shfaqet osteoartriti i gjurit, ekspertët këshillojnë ta imagjinojmë gjurin si një mekanizëm. Kërci i shëndetshëm është një sipërfaqe e lëmuar dhe elastike, e cila mbulon skajet e eshtrave në nyjë dhe vepron si “amortizues”, duke penguar fërkimin e eshtrave me njëri-tjetrin. Te osteoartriti, ky amortizues gradualisht humbet.
Pothuajse një e katërta e njerëzve mbi moshën 40 vjeç vuajnë nga osteoartriti, i cili konsiderohet një nga shkaqet kryesore të kufizimit të aftësisë fizike te të rriturit. Meqenëse osteoartriti zhvillohet si pasojë e konsumimit dhe dëmtimit të kërcit që mbron nyjat, duhet theksuar se aktualisht nuk ekziston mënyrë për ta riparuar plotësisht këtë dëmtim. Dhimbja mund të lehtësohet me ilaçe, por në fazat e avancuara gjendja shpesh përfundon me nevojën për zëvendësim të nyjës.
Një mënyrë e re ecjeje për çdo pacient mund ta ulë ngarkesën në gjurin e dëmtuar
Një studim i Universitetit Stanford, i publikuar në revistën The Lancet Rheumatology, ka treguar se dhimbja mund të lehtësohet në një masë të ngjashme me efektin e ilaçeve, përmes ushtrimit të ecjes në një mënyrë pak më ndryshe, me një ndryshim të vogël të këndit të shputës.
Te osteoartriti, ngarkesat më të mëdha në gju mund ta përshpejtojnë përparimin e dëmtimit. Për këtë arsye, studiuesit synuan që, përmes një ndërhyrjeje biomekanike, përkatësisht ndryshimit të këndit të shputës, të ulnin ngarkesën në gjurin e prekur.
Ata u fokusuan te pjesëmarrësit me osteoartrit të lehtë deri mesatar në pjesën e brendshme të gjurit, e cila mban më shumë peshë sesa pjesa e jashtme dhe përfaqëson formën më të shpeshtë të kësaj sëmundjeje.
Këndi ideal i shputës ndryshon nga personi në person, varësisht nga mënyra natyrale e ecjes. Pikërisht qasja e personalizuar në përzgjedhjen e modelit të ri të ecjes për secilin pacient ka ndihmuar në uljen e ngarkesës mbi nyjën e gjurit, transmeton Telegrafi.
Rezultatet pas një viti
Pjesëmarrësve iu analizua mënyra e ecjes me ndihmën e rezonancës magnetike. Ata ushtruan ecjen në shirit vrapimi dhe, në laborator, iu nënshtruan një trajnimi gjashtëjavor. Gjatë ushtrimeve mbanin në pjesën e poshtme të këmbës një pajisje vibruese, e cila i ndihmonte të ruanin këndin e përcaktuar të shputës gjatë ecjes në shirit.
Pas gjashtë javësh trajnimi, pjesëmarrësit duhej ta ushtronin këtë mënyrë ecjeje të paktën 20 minuta në ditë, derisa ta përvetësonin në mënyrë që t’u bëhej e natyrshme.
Pas një viti, pjesëmarrësit raportuan përvojat e tyre dhe iu nënshtruan edhe një kontrolli tjetër me rezonancë magnetike, për të vlerësuar përsëri gjendjen e kërcit të dëmtuar. Ata raportuan më pak dhimbje krahasuar me grupin placebo, ndërsa ulja e dhimbjes ishte afërsisht e ngjashme me atë që arrihet me përdorimin e ilaçeve.
Gjithashtu u vërejt edhe përmirësim i shëndetit të kërcit. Pjesëmarrësit ishin veçanërisht të kënaqur me faktin se nuk kishin nevojë të përdornin ilaçe kundër dhimbjes.
Kjo teknikë mund të jetë veçanërisht e dobishme për pacientët më të rinj, sepse te ta osteoartriti shpesh nënkupton përdorim të ilaçeve kundër dhimbjes për dekada, para se të vijë rekomandimi për zëvendësim të nyjës.
Megjithatë, para se të përdoret gjerësisht në praktikën klinike, procesi i trajnimit të mënyrës së re të ecjes duhet të thjeshtohet. Teknikat e analizimit të lëvizjes janë të kushtueshme dhe kërkojnë shumë kohë, ndërsa shkencëtarët shpresojnë që në të ardhmen kjo metodë të mund të përshkruhet edhe në ambulancat e terapisë fizikale. /Telegrafi/
