Trajneri i njohur spanjoll, Pep Guardiola, ka refuzuar një ofertë të majme nga Inter Miami, duke i dhënë fund spekulimeve për një ribashkim të mundshëm me Lionel Messin në MLS.
Sipas raportimeve, klubi amerikan, i udhëhequr nga David Beckham, ishte i gatshëm t’i ofronte Guardiolës një kontratë shumë fitimprurëse për ta bindur që të merrte drejtimin e skuadrës pas përfundimit të aventurës së tij te Manchester City.
Projekti parashikonte rikthimin e bashkëpunimit mes Guardiolës dhe Messit, një dyshe që shkroi historinë te Barcelona.
Megjithatë, trajneri katalanas ka vendosur të mos rikthehet menjëherë në stol. Pas viteve të ngarkuara dhe plot presion në futbollin anglez, Guardiola dëshiron të marrë kohë për të reflektuar dhe për të vendosur me kujdes mbi hapin e tij të ardhshëm.
Inter Miami nuk po kërkonte vetëm një trajner, por një figurë që do ta ngrinte klubin dhe MLS-në në një nivel tjetër. Emërimi i Guardiolës do të kishte ndikim të madh jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në atë komercial dhe mediatik, duke e vendosur kampionatin amerikan në qendër të vëmendjes së futbollit botëror.
Pavarësisht atraktivitetit të projektit, pranisë së Messit dhe kushteve financiare shumë të favorshme, Guardiola nuk ka ndryshuar planet e tij.
Ai besohet se po shqyrton mundësinë e një eksperience të re në futbollin e kombëtareve, një ide që e ka shprehur edhe më parë si një sfidë që e tërheq.
Në këtë kontekst, emra si Anglia dhe Italia janë përmendur si destinacione të mundshme për të ardhmen e trajnerit 55-vjeçar. Megjithatë, për momentin Guardiola nuk dëshiron të nxitojë me asnjë vendim.
Refuzimi i ofertës së Inter Miami-t dërgon një mesazh të qartë në tregun e trajnerëve: Guardiola nuk do të zgjedhë projektin e radhës bazuar vetëm te paratë apo fama. Ai synon që hapi i tij i ardhshëm të jetë i menduar me kujdes, pas një periudhe të gjatë në elitën e futbollit evropian.
Ndërkohë, Inter Miami do të duhet të kërkojë alternativa të tjera për stolin, teksa vazhdon të ndërtojë një projekt ambicioz rreth Lionel Messit dhe yjeve të tjerë të skuadrës. /Telegrafi/
