Shumë gra do t’i njohin përvojat e tyre të abuzimit digjital në akuzat e Collien Fernandesit – teknologjia u ofron autorëve si mjete ashtu edhe mbulesë.
Nga: Fatma Aydemir / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Disa histori që shpalosen në jetën reale do të dukeshin, po t’i shkruaje, si intriga e një romani të dobët kriminal. Tepër të dukshme, tepër të sajuara, pothuajse zvarritëse në mizorinë e tyre. Për shembull kjo: një grua kalon vite të tëra duke u përpjekur të identifikojë personin që dyshohet se e ka shkelur privatësinë e saj në internet, vetëm për të arritur në fund në përfundimin se ishte bashkëshorti i saj gjatë gjithë kohës.
Kështu paraqitet tani për publikun rasti i çiftit dikur të preferuar të famshëm në Gjermani, Collien Fernandes dhe Christian Ulmen. Fernandes, prezantuese televizive, aktore dhe autore, ka qenë për më shumë se dy dekada një figurë e njohur në industrinë zbavitëse. Ulmeni, aktor, producent dhe ish-prezantues i MTV-së, është prej kohësh i lidhur me një lloj maskuliniteti ironik dhe të vetëdijshëm. Të dy u martuan në vitin 2011, kanë vajzë dhe kultivuan imazhin e një superçifti modern dhe të zgjuar, duke punuar së bashku në seriale dhe reklama ku – për efekt gjoj komik – flisnin në mënyrë këndshme për martesën e tyre të zakonshme. Derisa ky imazh u ça.
Kur çifti njoftoi ndarjen vitin e kaluar, njerëzit shprehën publikisht keqardhje për humbjen e çiftit të famshëm ideal. Por, sfondi i errët i kësaj ndarjeje u zbulua vetëm pas një raporti në Der Spiegel.
Fernandesi, në një intervistë me gazetën, tha se kishte paraqitur një kallëzim ligjor kundër Ulmenit në Spanjë, ku çifti ishte zhvendosur në vitin 2023. Akuzat e saj ishin tronditëse: Fernandesi pretendoi se bashkëshorti i saj e kishte nënshtruar ndaj dhunës në familje, kishte krijuar profile të rreme në rrjetet sociale në emrin e saj, i kishte përdorur ato për të kontaktuar burra dhe kishte shpërndarë imazhe dhe video të seksualizuara, të krijuara për t’u dukur sikur e paraqisnin atë.
Fernandesi ka folur publikisht për dhunën digjitale dhe përvojat e saj me këtë për vite me radhë. Ajo madje realizoi një dokumentar televiziv, i cili u transmetua në vitin 2024, ku ajo udhëton nëpër botë për të gjetur burimin e përmbajtjes pornografike që i atribuohet asaj – jo vetëm që qarkullon në internet, por edhe u dërgohet drejtpërdrejt personave me të cilët ajo punonte në atë kohë, në emrin e saj. Në intervistën e saj për Der Spiegel, Fernandesi pretendon se ish-bashkëshorti i saj – vetëm pas publikimit të dokumentarit të saj – i kishte rrëfyer se ai qëndronte pas abuzimit. Në një postim në Instagram, ajo deklaroi: “E eksitonte të më poshtëronte për vite me radhë”. Ulmeni i mohon akuzat.
Por, sipas rrëfimit të Fernandesit, këtu fillojnë problemet e saj ligjore. Thënë troç, ajo që përshkruan nuk është një rast i pamjeve të rreme [deepfake] të gjeneruara nga IA-ja [inteligjenca artificiale], për të cilat qeveria gjermane ka premtuar të miratojë legjislacion, por një rast i abuzimit me identitetin. Rezultati mund të duket i ngjashëm, por kategorizimi ligjor nuk është. Dhe, ky boshllëk, sipas saj, i lë viktimat si ajo të mbrojtura në mënyrë të pamjaftueshme. Në internet ka pamje të rreme pornografike të Fernandesit, por avokati i Ulmenit deklaroi në një reagim se asnjë prej tyre nuk ishte krijuar apo shpërndarë prej tij. Ulmeni “kurrë nuk ka prodhuar dhe/ose shpërndarë pamje të rreme të zonjës Fernandes apo të ndonjë personi tjetër”, thuhet në deklaratë.
Qoftë të fabrikuara përmes IA-së apo atribuuar gabimisht përmes ngjashmërisë fizike dhe imitimit, efekti është i njëjtë: humbja e kontrollit mbi imazhin e vet, seksualizimi publik i një personi pa pëlqim. “Përdhunim virtual”, siç e quan Fernandes.
Është një konfigurim bashkëkohor që ndihet shqetësues. Dhuna nga partneri intim nuk përfundon më te dera e shtëpisë; degjeneron në internet. Teknologjia e ka ulur pragun për dhunë të seksualizuar në një shkallë pothuajse absurde. Dhe, nuk është defekt i sistemit që shumica dërrmuese e atyre që shënjestrohen janë gra; është vetë sistemi që riprodhon një hierarki të vjetër përmes mjeteve të reja.
Për më tepër, nuk është rastësor fakti që Fernandesi zgjodhi të bënte kallëzimin në Spanjë. Ai nxjerr në pah një boshllëk në mbrojtjen ligjore në të gjithë Evropën. Ndërsa Gjermania ende përpiqet të klasifikojë dhe ndëshkojë në mënyrë të duhur format e abuzimit të seksualizuar digjital që nuk përshtaten qartë në kategoritë ekzistuese, Spanja në vitet e fundit ka forcuar kuadrin e saj ligjor rreth dhunës digjitale dhe asaj me bazë gjinore. Vendimi për të kërkuar drejtësi atje është, në vetvete, një akuzë ndaj mënyrës se si mbrojtja shpërndahet në mënyrë të pabarabartë.
Në vitet e fundit, rastet e personazheve të famshëm si Johnny Deppi kundër Amber Heardit kanë treguar se sa polarizues mund të bëhet debati në rrjetet sociale mbi dhunën e seksualizuar. Ndjekësit marrin anë, kronologjitë analizohen në detaje dhe besueshmëria debatohet në kohë reale. Qëkur Collien Fernandesi i bëri publike akuzat e saj, janë mbajtur demonstrata në shumë qytete gjermane për të protestuar kundër dhunës me bazë gjinore dhe për të shprehur solidaritet me të. Shqetësimet për sigurinë e saj, përfshirë kërcënimet me vdekje, ishin të tilla që ajo u detyrua të vishte jelek antiplumb për të folur në protestën në Hamburg.
Në të njëjtën kohë, miliona gra do të njohin diçka nga përvoja e tyre në akuzat e Fernandesit. Ndoshta jo detajet specifike, por strukturën: poshtërimin, humbjen e kontrollit, ndjenjën se bota digjitale u ofron autorëve si mjete ashtu edhe mbulesë. Për çdo rast të profilit të lartë, ka të panumërta të tjera që nuk dalin kurrë në sipërfaqe. Histori që nuk përfundojnë me veprime ligjore, por me zmbrapsje, frikë dhe heshtje.
Ndërkohë, reagimi politik në Gjermani ka ndjekur një skenar dëshpërimisht të njohur. Kancelari Friedrich Merz ka shfrytëzuar debatin rreth dhunës me bazë gjinore për ta paraqitur edhe një herë atë si një problem kryesisht të lidhur me burrat migrantë – edhe pse ky rast e kundërshton qartë këtë ide. Christian Ulmen është burrë i bardhë gjerman, ndërsa Collien Fernandes është vajza e një emigranti indian dhe e një nëne gjermano-hungareze.
Megjithatë, Merzi e shfrytëzon rastin për të devijuar vëmendjen nga natyra strukturore dhe thellësisht e rrënjosur e dhunës me bazë gjinore, duke e paraqitur atë si diçka të jashtme dhe, në mënyrë të përshtatshme, te të tjerët. Fakti që kjo vjen nga një politikan që votoi kundër kriminalizimit të përdhunimit brenda martesës në vitin 1997, kur Gjermania më në fund e njohu atë si krim, është më shumë sesa një fusnotë historike.
Duhet shpresuar që deklaratat dhe veprimet ligjore të Fernandesit të mund të ndryshojnë termat e debatit publik. Jo sepse dukshmëria garanton drejtësi, por sepse ajo imponon pranimin e dëmit që ende minimizohet. Dhuna digjitale shpesh trajtohet si më pak “reale” sesa ajo fizike, sikur mungesa e kontaktit fizik të zvogëlonte ndikimin e saj mbi reputacionin dhe sigurinë psikologjike.
Do të ishte gabim të paraqitej kjo vetëm si një skandal i të famshmëve. Ajo që po diskutohet këtu është diçka shumë më e gjerë: si shoqëritë e përkufizojnë dhunën në epokën digjitale dhe nëse sistemet ligjore janë të afta të mbajnë hapin me teknologjinë që e formëson atë.
Ndoshta e vërteta më e pakëndshme është kjo: mjetet që e bëjnë të mundur një abuzim të tillë nuk janë më të jashtëzakonshme. Ato janë të zakonshme. Dhe, për sa kohë që nuk e pranojmë këtë, realiteti do të vazhdojë të duket si një intrigë e dobët kriminale. /Telegrafi/