Cole Palmer nuk është duke kaluar një periudhë të mirë te Chelsea, ndërsa raportimet e fundit sugjerojnë se ai po bëhet gjithnjë e më i frustruar me situatën e tij në klub.
Sipas gazetarit Samuel Luckhurst, mesfushori ofensivë është i pakënaqur me zhvillimet e fundit dhe nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë i hapur për një largim gjatë afatit kalimtar të verës.
Interesi për 23-vjeçarin është i madh, me disa nga klubet më të fuqishme evropiane që po ndjekin nga afër situatën e tij, përfshirë Manchester United, Real Madrid dhe Bayern Munich.
Palmer konsiderohet një nga talentet më të mëdha të brezit të tij dhe vlera e tij në treg raportohet të jetë rreth 150 milionë funte.
Burime të Samuel Luckhurst pranë lojtarit sugjerojnë se një nga arsyet kryesore të pakënaqësisë lidhet me ndryshimet në qasjen taktike të Chelseat, të cilat ai mendon se kanë kufizuar ndikimin dhe hapësirat e tij në fushë.
Gjithashtu, mungesa e sulmuesit Nicolas Jackson, i cili me shpejtësinë dhe lëvizjet e tij plotësonte lojën e Palmer, ka ndikuar negativisht në performancën e anglezit. Për më tepër, sezoni i tij është ndikuar edhe nga disa probleme fizike, përfshirë dëmtime në ijë dhe në gishtin e këmbës.
Në anën tjetër, Chelsea, që aktualisht drejtohet nga Liam Rosenior, ndodhet në vendin e gjashtë në Ligën Premier dhe po lufton për një vend në Ligën e Kampionëve. Një dështim për të siguruar kualifikimin në këtë kompeticion mund ta bëjë edhe më të vështirë mbajtjen e lojtarëve kyç, përfshirë Palmer.
Megjithatë, pavarësisht spekulimeve të shumta, Chelsea vazhdon ta konsiderojë Palmer si një pjesë të paprekshme të projektit afatgjatë, ndërsa kontrata e tij është e vlefshme deri në vitin 2033.
Kjo e vendos klubin në një pozicion të fortë negociues dhe e bën çdo transferim të mundshëm shumë të vështirë për t’u realizuar./Telegrafi/