Nuk dihet kur do të lirohen 128 milionë euro nga programi IPARD 3. Komisioni Evropian nuk ka dhënë afate konkrete për shqyrtimin e raportit që qeveria e Maqedonisë e dorëzoi lidhur me skandalin e korrupsionit me drejtorin e Agjencisë së Pagesave, Ile Stoilev, që çoi në pezullimin e pagesave.
Ministri i Bujqësisë, Cvetan Tripunovski, në emisionin Biznis 21 tha se në takimin në Bruksel kërkuan që raporti të shqyrtohet sa më shpejt, por nuk morën përgjigje konkrete, vetëm një sinjalizim që do të merret në shqyrtim.
“Diskutuam për raportin e dorëzuar, që të shqyrtohet sa më shpejt dhe ai në mënyrë praktike të shqyrtohet në tërësi nga ana e tyre, nga administrata dhe në përputhje me atë shqyrtim dhe vërejtjet eventuale nëse ka, të veprohet me vazhdimin e mëtejmë të punës së Agjencisë së Pagesave. Nuk kemi përgjigje konkrete, megjithatë kemi një sinjalizim se do të vendoset në procedurë të përshpejtuar shqyrtimi i atij raporti. Bëhet fjalë për raporte voluminoze. Kur saktësisht do të ndodhë nuk mund të them, sepse administrata në Bruksel nuk punon me data konkrete”, theksoi ministri i Bujqësisë, Cvetan Tripunovski.
Tripunovski për arrestimin e dy drejtorëve nga resori i tij tha se kjo është dëshmi se nuk ka persona të mbrojtur nga pozita e funksionarëve. Tha se nuk do të mbrojë askënd, por edhe se nuk ndjen përgjegjësi.
Ministri pretendon se me vëmendje po ndiqet gjendja me luftën në Iran, e cila përveç çmimeve të naftës i ka rritur edhe çmimet botërore të plehrave për 40 për qind, gjë që mund ta shtrenjtojë edhe ushqimin. Tha se në shtator të vitit të kaluar janë ndarë mbi 46.000 kartela për naftë të gjelbër, të cilat bujqit nuk i përdorin gjatë dimrit dhe tani mund t’ua lehtësojnë shpenzimet.
Dua të them se kjo naftë që e kanë marrë në kartelat e tyre, ose kanë bërë ndoshta rezerva gjatë dimrit ose e përdorin tani, është një lloj ndihme në lehtësimin e këtyre shpenzimeve. Ja ju thashë në pjesën e naftës çfarë kemi bërë, mendoj se kemi derivatet më të lira në rajon. Mirëpo ushqimi është i rrezikuar, këto plehra artificiale u nevojiten bujqve, a do të kemi këtu ndonjë masë shtesë reagimi? Me vëmendje po e ndjekim gjendjen dhe do të reagojmë nëse ka nevojë”, deklaroi Cvetan Tripunovski – ministër i Bujqësisë.
Edhe pse një pjesë e bujqve reaguan se u detyrohen rreth 100 milionë euro për subvencione, ndër to edhe për vitin 2024, Tripunovski siguron se subvencionet paguhen rregullisht.