Një juri në Los Angelos të SHBA-së i ka dhënë një fitore historike për një të re që paditi Meta dhe Google, duke argumentuar se kishte zhvilluar varësi ndaj rrjeteve sociale gjatë fëmijërisë.
Juria vendosi se Meta dhe Google kishin krijuar platforma të dizajnuara për të nxitur varësinë, gjë që kishte dëmtuar shëndetin mendor të 20-vjeçares, e identifikuar si Kaley. Ky vendim mund të ndikojë në dhjetëra raste të ngjashme që po shqyrtohen në gjykatat amerikane.
Avokatët e Metës thanë se, edhe pse Kaley kishte kaluar vështirësi personale, përdorimi i Instagramit – platformë në pronësi të Metës, së bashku me Facebook dhe WhatsApp – nuk kishte shkaktuar apo kontribuar në mënyrë të ndjeshme në problemet e saj.
Pas pesë javësh gjykimi, juria vendosi se Meta është 70% përgjegjëse për dëmin, ndërsa YouTube 30 për qind. Meta reagoi duke deklaruar “nNe nuk pajtohemi me vendimin dhe po shqyrtojmë opsionet tona ligjore”, shkruan bbc.
Gjatë paraqitjes së tij të parë ndonjëherë para një jurie në shkurt, kryetari i Metës, Mark Zuckerberg, përmendi politikën e kompanisë për të mos lejuar përdorues nën 13 vjeç.
Kur iu treguan dokumente që tregonin se fëmijë të vegjël përdornin platformat, ai tha se kishte “dëshiruar gjithmonë” të përparonte më shpejt në identifikimin e tyre, duke shtuar se kompania kishte arritur “në një pikë të duhur me kalimin e kohës”.
Ndërkohë, Google, pronar i YouTube, ishte gjithashtu i përfshirë, por gjykimi u përqendrua kryesisht tek Instagram dhe Meta. Snap dhe TikTok ishin fillimisht të pandehur, por të dyja arritën marrëveshje të fshehta me Kaley para se të fillonte gjyqi. /Telegrafi/