Sipas vlerësimeve fillestare të komunave të prekura nga vërshimet e fundit, dëmet deri më tani tejkalojnë shumën prej 5 milionë euro, duke prekur rëndë ekonomitë familjare, bizneset lokale dhe infrastrukturën publike.
Kështu bëjnë të ditur për Telegrafin nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.
Komunat më të prekura, sipas vlerës së dëmeve, janë:
Gjakova – 2.7 milionë euro
Drenasi – mbi 1.5 milionë euro
Peja, Rahoveci dhe Mitrovica – nga 800 mijë euro secila
Klina – mbi 650 mijë euro
Malisheva – 540 mijë euro
Ndërkohë, vlerësimet ende nuk janë përfundimtare për disa komuna të tjera.
AKK i bën thirrje nivelit qendror për reagim urgjent dhe të koordinuar institucional, alokim të menjëhershëm të mjeteve financiare, aktivizim të fondeve emergjente dhe mekanizmave shtetërorë, mbështetje konkrete për sanimin e dëmeve dhe rikthimin e normalitetit për qytetarët dhe bizneset.
“Komunat nuk mund të përballojnë të vetme këtë barrë financiare. Pa një ndërhyrje të shpejtë nga niveli qendror, rrezikohet seriozisht realizimi i shumë projekteve dhe ofrimi i shërbimeve për qytetarët”, thonë nga AKK.
Tutje thuhet se Komunat dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës, mbeten të përkushtuara për bashkëpunim të plotë institucional, por njëkohësisht kërkojmë veprim të menjëhershëm dhe konkret. /Telegrafi/