Elikia Mbinga kishte përpara një të ardhme premtuese në futboll. Ai kaloi katër vite në akademinë e Ajaxit, një prej shkollave më të njohura të futbollit në botë, ku luajti krah për krah me disa prej emrave që sot janë yje të futbollit evropian.
Jurrien Timber, Quinten Timber, Ryan Gravenberch dhe Brian Brobbey ishin bashkëlojtarët e tij në akademinë e klubit holandez.
Por, ndërsa ata vazhduan rrugëtimin drejt niveleve më të larta të futbollit, historia e Mbinga mori një tjetër drejtim. Sot ai njihet si ELIKIA, artist i muzikës afrobeats, ndërsa futbollin profesional e la në moshën vetëm 21-vjeçare.
Katër vite në akademinë e Ajaxit
Mbinga iu bashkua Ajaxit në vitin 2014, pasi ishte zhvilluar te PEC Zwolle. Ai ishte mesfushor ofensiv dhe përfundimisht u bë kapiten i ekipit U16 të Ajaxit, ku luante së bashku me Timberët, Gravenberchin dhe Brobbeyn.
Ai kujton se presioni në akademinë e Ajaxit ishte i jashtëzakonshëm.
“Trajnerët janë shumë striktë. Ata gjithmonë kërkojnë nivelin e Ligës së Kampionëve. Mendoj se kjo është e mirë, sepse ndërton mentalitetin dhe rezistencën. Kur luan për Ajaxin, gjithmonë duhet të fitosh”, ka treguar Mbinga për GOAL.
Në atë moshë, ai kishte kuptuar se disa prej bashkëlojtarëve të tij kishin diçka të veçantë. Për Jurrien dhe Quinten Timber, ai thotë se që në fëmijëri ishin fizikisht mbresëlënës, ndërsa për Gravenberchin veçon aftësinë teknike. Për Brobbeyn, ndërkaq, kujton fuqinë fizike që sot e karakterizon edhe në nivelet e larta.
“Që atëherë mund ta shihje se këta lojtarë ishin specialë”, rrëfen ai.
Konkurrenca me Gravenberchin dhe Timberin
Por rruga e Mbinga nuk ishte e njëjtë. Në vitin 2018, ndryshimi i trajnerit në ekipin U17 ndikoi në të ardhmen e tij te Ajax.
Ai e pranon se konkurrenca ishte jashtëzakonisht e madhe, sidomos në mesfushë. Një prej rivalëve të tij të drejtpërdrejtë ishte Ryan Gravenberch, ndërsa në atë repart luanin edhe Kenneth Taylor dhe Quinten Timber.
“Arsyeja pse u largova nga Ajax ishte se kishte shumë konkurrencë. Luaja në mesfushë. Konkurrenca ime direkte ishte Ryan, por jo vetëm ai – ishin edhe Kenneth Taylor dhe në atë kohë Quinten Timber”, ka treguar Mbinga.
Me ardhjen e një trajneri të ri, ai kuptoi se nuk ishte më pjesë e planeve kryesore. Edhe pse kishte mundësi të vazhdonte në akademitë e klubeve si Juventusi dhe Bayer Leverkuseni, zgjodhi të kthehej në Zwolle, te klubi i tij i fëmijërisë.
E la futbollin në moshën 21-vjeçare
Mbinga u rikthye te PEC Zwolle dhe arriti deri te ekipi i parë. Në sezonin 2021/22 bëri debutimin në ekipin senior, madje në një mënyrë simbolike, kundër Ajaxit, duke luajtur 22 minuta pas inkuadrimit nga banka rezervë.
Por në atë kohë, në mendjen e tij kishte nisur të rritej një tjetër pasion – muzika.
“Futbolli ishte pasioni im më i madh. Çdo ditë ishte futboll. Por në një moment pasioni për muzikën u bë shumë i madh dhe duhej të vendosja se çfarë doja të bëja me jetën time”, tregon ai.
Në fillim të vitit 2023, kur ishte vetëm 21 vjeç, ai mori vendimin e guximshëm për ta ndërprerë kontratën me PEC Zwolle dhe për t’iu përkushtuar muzikës. Më pas vazhdoi të luante vetëm në nivel amator me VVOG, para se ta mbyllte përfundimisht kapitullin e futbollit.
Nga fusha e futbollit në skenën e muzikës
Vendimi për të ndryshuar drejtim nuk ishte i lehtë. Mbinga nuk kishte as studio, as këngë të publikuara, por kishte një vizion.
“Kur bëra këtë tranzicion, nuk kisha asnjë këngë. Nuk kisha as studio. Nuk kishte asgjë. Kishte vetëm besimi dhe vizioni”, rrëfen ai.
Tre vite e gjysmë më vonë, historia ka marrë një tjetër kthesë. ELIKIA ka grumbulluar më shumë se 30 milionë dëgjime dhe rreth 430 mijë dëgjues mujorë, ndërsa këngët e tij “Mentality” dhe “Bring No Wahala” kanë marrë vëmendje të konsiderueshme.
Futbolli ende është pjesë e muzikës së tij
Edhe pse e la futbollin profesional, ai nuk është shkëputur plotësisht nga sporti. Përkundrazi, futbolli është bërë pjesë e muzikës së tij.
Në tekstet e këngëve të tij mund të gjenden referenca për futbollistë si Aurélien Tchouaméni dhe Jude Bellingham, ndërsa përvojat nga akademia e Ajaxit kanë ndikuar në mënyrën se si ai e përjeton karrierën e re.
“Mund ta kem lënë futbollin profesional, por futbolli profesional nuk më ka lënë mua”, thotë ELIKIA.
Ai e sheh periudhën te Ajax jo si një dështim, por si një pjesë të rëndësishme të rrugëtimit që e çoi aty ku është sot.
“Për mua ishte pikërisht ajo që duhej të ndodhte. Kjo është historia ime”, përfundon ai.
Albumi i tij i parë, me 11 këngë – të konceptuara si një formacion futbolli me 11 lojtarë – pritet të publikohet në nëntor, ndërsa kënga e re “Baller” publikohet më 9 tetor. /Telegrafi/